Transmetuar më 02-03-2018, 11:31

Grabitja e një pike këmbimi valutor ka përfunduar në gjak ku një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë u shënua paraditen e sotme, në qytetin e Fierit gjatë pranë gjimnazit “Janaq Kilica”.

Grabitësi ka hyrë në biznes, ku ka hasur në rezistencën e të zotit, ndërsa për të parandaluar ngjarjen ka ndërhyrë edhe tregtari i një byrektoreje aty pranë, i cili ka mbetur i plagosur.

Kjo pasi autori i ngjarjes ka shkrepur armën, duke e lënë të plagosur këtë të fundit.

E sinjalizuar për ngjarjen policia bëri një ndjekje intensive, duke arritur të arrestojë të dyshuarin.

Bëhet fjalë për 32-vjeçarin nga Vlora Zini Fyraj, i cili është shoqëruar në polici.

Pas ndjekjes intensive, i dyshuari ka braktisur makinën pranë fshatit Baltëz të Fierit dhe është hedhur në lumë.

Por ai është kapur nga uniformat blu, bashkë me një çantë me para, të cilat dyshohet se janë marrë në Exchange.

Aktualisht policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorit të të arrestuarit. /a.y/noa.al

Tentohet të grabitet pika e këmbimit valutor në Fier, plagoset një person