







Zbardhet ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme, ku u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit të Lezhës, duke krijuar terrorizuar banorët.
Tre persona janë arrestuar si të dyshuar për ngjarjen, pasi rreth orës 14.30 të së enjtes, në bashkëpunim me njëri- tjetrin në lagjen ‘Varosh’ të qytetit të Lezhës, pranë hyrjes se një tuneli poshtë kalasë së qytetit, kanë qëlluar në ajër me një armë zjarri duke krijuar panik tek qytetarët.
Nga ndërhyrja e shpejtë e policisë u bë arrestimi i Markelian Pepa, 21 vjeç, banues në Reps, Miditë, E. M., 15 vjeç, banues në Lezhë dhe P. D., 15 vjeç, banues në Lezhë.
Grupi hetimor në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 35 gëzhoja.
Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur gjetjen e armës, një pushkë model 5, me të cilën tre të rinjtë kishin qëlluar dhe më pas e kishin fshehur në shkurre përreth zonës ku kishin qëlluar.
Së bashku me armën grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar edhe 332 fishekë luftarakë dhe 8 granata dore dhe një pistoletë shenjë dhënëse.
Gjithashtu gjatë kontrollit grupi hetimor u ka gjetur dhe sekuestruar Markelian Pepës edhe një sasi të vogël lënde narkotike kanabis sativa.
Nga hetimet e kryera nga policia, dyshohet se tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri- tjetrin janë dhe autorë të ngjarjes së ndodhur më 19 dhjetor, ku rreth orës 19.00, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të banesës së shtetasit Xh.M, në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës.
Në ngarkim të tyre hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





