Transmetuar më 08-02-2018, 13:01

Kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagon ndaj fjalës së mbajtur sot në Kuvend nga Kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, Kryeministri i tromaksur i Shqipërisë shpik anatominë e re të njeriut.

Vasili thotë se, sipas Kryeministrit ku shkon pushteti shkon edhe arsyeja, domethënë truri.

“Sipas këtij Kryeministri, i bie që njeriu më i zgjuar në botë është Kim Jongu në Kore, që ka 100% të pushtetit pra ka edhe 100% të arsyes. I bie gjithashtu që kur ky ka qenë 8 vjet në opozitë ja ka futur kot se ka qenë pa arsye dhe pa tru. Ruajna Zot nga ky Kryeministër që ka ikur përfundimisht nga trutë e kokës”, shkruan Vasili.

Ky reagim erdhi, pasi Rama në fjalën e mbajtur në Kuvend u shpreh se “Ju keni humbur pushtetin, arsyen dhe tanimë keni humbur gjumin, politika juaj është jerm. Sepse ajo e shkreta dhe e mallkuara reformë në drejtësi që e votuat këtu me dy këmbët në një këpucë, sepse atë vettingun nuk e ndalni dot"

Ai tha se partia që nuk e mundën dot, e ka futur opozitën në një hall shumë të madh "dhe e dini se sa të jetë kjo parti në qeveri, ju s’keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi, siç ishte për sa kohë ku e drejtuat, duke e kthyer shtetin shqiptar në një zhele pa asnjë vlerë”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd