
Teksa diskutohet në Kuvend mocioni i debatit i kërkuar nga opozita, lidhur me votimin e bërë në muajin dhjetor në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria doli kundër propozimit të Presidentit Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, ka marrë fjalën Kryeministri Edi Rama.
Ai tha se sot opozita përdori Jeruzalemin për debat, nesër mund të kërkohet debat për kanalin e Panamasë, duke nënvizuar se opozita është në hall dhe do ishte në gjendje të shpërthente edhe një luftë nukleare nëse do kishin ndonjë gjë në dorë.
Sipas tij, halli i opozitës lidhet me atë që po ndodh në këtë Shqipërinë tonë të vogël.
“Sot e kërkoni shpëtimin në Lindjen e Mesme, nesër mund ta kërkoni diku tjetër, mjafton të jetë një pikë e globit larg këtij vendi këtu. Ju keni humbur pushtetin, arsyen dhe tanimë keni humbur gjumin, politika juaj është jerm. Sepse ajo e shkreta dhe e mallkuara reformë në drejtësi që e votuat këtu me dy këmbët në një këpucë, sepse atë vettingun nuk e ndalni dot. Sepse kjo partia këtu që nuk e mundët dot, ju ka futur në një hall shumë të madh dhe e dini se sa të jetë kjo parti në qeveri, ju s’keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi, siç ishte për sa kohë ku e drejtuat, duke e kthyer shtetin shqiptar në një zhele pa asnjë vlerë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se PD, sot është gati të bëhet dele e zezë dhe eskimeze vetëm që mos e kapë drejtësia.
Kreu i qeverisë ironizoi një deputet të Partisë Demokratike, se e nis ditën me raki, e vazhdon me paçe dhe e vazhdon me grosh.
“Ju jeni pilaf, grosh dhe frikë. Keni frikë nga ajo që ju pret”, deklaroi Rama.
Më tej tha, “Ti Sali bashkë me mikun tënd Lulzim e futët detin në govatë dhe nënshkruat një marrëveshje antikushtetuese, që qyhet ndryshe tradhti për cenim territori”.
Në këtë linjë shtoi se tashmë Basha dhe Berisha thonë, “deti të na marrë të gjithëve’, vetëm të dini nga gropa e ndëshkimit të drejtësisë që ju nuk keni kohë ta ndaloni”.
Ai i ftoi të votojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, por shtoi se nuk mund të votojnë dot për një proces që mund t’iu lidhë duart, duke i akuzuar se kanë vjedhur shumë dhe kanë bërë shumë.
“Hidheni apo nuk hidheni përpjetë, KLGJ dhe KLP do të ngrihet sot. Sot mbaron filmi me gogla, ne do votojmë, ju do votoni dhe ata që kanë dalë nga goglat do jenë organet e reja të KLGJ dhe KLP”, deklaroi Edi Rama.
Sipas tij, fshesa e vettingut ka filluar dhe “disa nga të dashurit e tu Sali në pallatin e drejtësisë, po e shihni si po fluturojnë dhe drejtësia e plepave të kalbur do të shembet”.
Ai u ndal te Sali Berisha duke i thënë se “Të admiroj se ke forcë më shumë se të gjithë këta. Por lëri bijtë e tu të luftojnë, se ke halle të mëdha përpara”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





