Transmetuar më 28-01-2018, 10:38

Policia ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme tek rrethrrotullimi i Çoles, ku pati të shtëna nga një automjet në drejtim të një makine tjetër.

Pas një njoftimi të marrë ditën e djeshme rreth orës 14:00, se në lagjen " 24 Maji", tek rreth rrotullimi i Çoles është dëgjuar një e shtënë me armë zjarri, është ngritur grupi hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Si rezultat i punës intensive, këqyrjes së kamerave dhe hetimeve ka rezultuar se Q.M., 34 vjeç, është afruar në këmbë pranë mjetit tip "Renault Megane", që drejtohej prej 25 vjeçarit O.Ç., dhe pasi janë konfliktuar për motive të dobëta e të çastit e ka kanosur këtë të fundit me armë zjarri pistoletë duke qëlluar mbi automjet.

Si pasojë e të shtënës nuk ka patur të dëmtuar, por vetëm thyerje të xhamave të mjetit. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë pistolete dhe 2 automjetet e personave të përfshirë në konflikt.

Në përfundim të kryerjes së veprimeve të para hetimore është bërë shpallja në kërkim e Q.M., si edhe po vijon puna për kapjen e ndalimin e tij. Shtetasi Q.M., rezulton të jetë shtetas me precedent penal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme. /b.l/noa.al/

Vlorë, shkëmbim zjarri mes dy makinave në zonën e “Çoles”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd