Transmetuar më 19-12-2017, 13:00

Gjashtë persona pjesë e protestuesve të ditës së djeshme para Parlamentit, janë arrestuar nga policia, ndërsa 10 deputetë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të policisë, mes tyre dhe Monika Kryemadhi

Policia e Tiranës, bashkë me Prokurorinë e rrethit dalin me deklaratë të përbashkët lidhur me protestën e cila u përshkallëzua deri në incidente këtë të hënë, ku për pasojë pati edhe të lënduar.

Në vijim të veprimeve hetimore për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar në datën 18 dhjetor 2017 para Kuvendit të Shqipërisë, uniformat blu kanë bërë arrestimin e Renato Xhihanit, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë; Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë); Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë E.M., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Sali Lushaj, 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor.

Po në vijim të veprimeve ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike’, parashikuar nga neni 274 Kodit Penal në ngarkim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Flamur Noka, Grida Duma dhe Edi Paloka.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik në ngarkim të deputetëve Monika Kryemadhi, Flamur Noka, Ervin Salianji, Endrit Brahimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi, Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri.

Për shtetasin E.B., ka nisur procedimi penal për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Drejtoria Tiranë thotë se aktualisht po vijon punën për identifikimin, kapjen dhe vënien para drejtësisë të gjithë personave që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme dhe vënien e tyre përballë përgjegjësisë ligjore. /a.y/noa.al

Protesta para Kuvendit, lëndohen 6 policë, mes tyre dy efektive femra

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd