Transmetuar më 18-12-2017, 16:55

Gjatë protestës së sotme të opozitës të zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë janë lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore 6 punonjës policie, mes tyre dy efektive në moshë të re.

Policia e Shtetit bën me dije se të lënduarit janë tre efektivët O.M., V.T., dhe M.A., pjesë e forcave të posaçme “Shqiponja”.

Të lënduarit e tjerë janë N.K., E.X., dhe D.B., efektivë policie të komisariatit të policisë nr.1, nga të cilët dy prej tyre femra.

Policia e Shtetit thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po vijon verifikimet për identifikimin e gjithë personave, të cilët kanë ushtruar dhunë gjatë protestës.

Gjithçka ndodhi gjatë protestës së opozitës paraditen e sotme, para se Kuvendi të votonte me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim kryeprokuroren e re të përkohshme.

Arta Marku u betua mesditën e sotme në sallën e Kuvendit, mes tymueseve të hedhura nga opozita, e cila kundërshton zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, duke e cilësuar gjithë procedurën e ndjekur si antikushtetuese.

Votimi për emrin e Markut u bë në mënyrë elektronike, dhe të fshehtë, ndërsa nuk kanë munguar edhe konfrontimet fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe punonjësve të Gardës në ambientet e brendshme të seancës dhe mes qytetarëve dhe policisë jashtë saj. /a.y/noa.al

Ministri Xhafaj, viziton në spital policin e plagosur gjatë protestës së opozitës

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd