Transmetuar më 06-12-2017, 12:08

Prokuroria e Krimeve të Rënda del me deklaratë lidhur me ndalimet për trafikimin e 2.5 ton lëndë narkotike nga Durrësi në drejtim të Ankonas, në Itali.

Në vijim të operacionit të Prokurorisë për Krime të Rënda, paraditen e sotme janë ndaluar edhe katër persona të tjerë, dy prej të cilëve punonjës policie nëpPikën e kalimit kufitar, Durrës, një doganier në doganën e portit, Durrës, si edhe një agjent doganor.

Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda është evidentuar se, për kalimin e kamionit të ngarkuar me 2.5 ton lëndë narkotike, janë krijuar kushtet nga zyrtarë publikë, të cilët kanë mundësuar kalimin lirisht të kamionit nga porti i Durrësit deri në portin Ankona në Itali.

Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është urdhëruar gjithashtu ndalimi i efektivëve të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Emigracionit, Durrës, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani, si edhe për doganierin Altin Katundi, e agjentin doganor Mikail Hila.

Urdhrat e ndalimit janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit.

Zyrtari i lartë i Policisë Arbi Mustafa, konsiderohet në rolin e organizatorit, të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e 2.5 ton lëndë narkotike kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë, ngjarje e ndodhur në janar 2017.

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin, pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shqiptari Dhimo Koraj.

Në bazë të informacionit fillestar, të përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nga homologët italianë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin.

Bazuar në veprimet proceduriale, deri më tani është arritur të identifikohen dhe arrestohen apo ndalohen disa persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal.

Fillimisht, janë arrestuar para pak kohësh Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg.

Gjatë hetimit është vendosur caktimi i masës sigurimit arrest në burg për Aurel Lazaj, masë e cila është ekzekutuar para pak ditësh.

Ndërkohë mbrëmjen e kësaj të marte janë ekzekutuar urdhrat e ndalimit për Festim Lelaj, aktualisht nënkomisar në Komisariatin e Fierit,  Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. /a.y/noa.al

Shkatërrohet rrjeti i trafikut nga Porti i Durrësit, e drejtonte zyrtari i lartë i policisë