Transmetuar më 05-12-2017, 20:48

Një rrjet  organizuar I trafikut të lëndëve narkotike është goditur me sukses këtë të martë nga autoritetet shqiptare, duke vënë në pranga tre persona, mes të cilëve edhe një zyrtar të lartë të policisë.

Në pranga kanë rënë, Festim Lelaj, aktualisht nënkomisar në Komisariatin e Fierit,  Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër-ndalimi nga Prokuroria pas dyshimeve për përfshirje në aktivitetin kriminal.

Sipas njoftimit Prokurorisë për Krime të Rënda zyrtari i lartë i Policisë Arbi Mustafa, konsiderohet në rolin e organizatorit, të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e 2.5 ton lëndë narkotike kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë, ngjarje e ndodhur në janar 2017.

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin, pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shqiptari Dhimo Koraj.

Në bazë të informacionit fillestar, të përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nga homologët italianë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin.

Bazuar në veprimet proceduriale, deri më tani është arritur të identifikohen dhe arrestohen apo ndalohen disa persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal.

Fillimisht, janë arrestuar para pak kohësh Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg.

Gjatë hetimit është vendosur caktimi i masës sigurimit arrest në burg për Aurel Lazaj, masë e cila është ekzekutuar para pak ditësh.

Ndërkohë mbrëmjen e kësaj të marte janë ekzekutuar urdhrat e ndalimit për Festim Lelaj, aktualisht nënkomisar në Komisariatin e Fierit,  Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. (e.c/noa.al)