Transmetuar më 01-06-2017, 09:42

Saimir Tahiri, kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, i përgjigjet kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili lidhur me shprehjen që po qarkullon së fundmi “makinë me një timon”, sa i takon qeverisjes.

Në një takim me banorë të njësisë nr.7 në kryeqytet Tahiri tha dje se, dëgjoi Vasilin që thoshte se është tahma e madhe të imagjinosh një makinë me një timon.

“Unë nuk e di pse i shkon mendja te tahmaja në fakt. Unë e quaj përgjegjësi, atij i shkon mendja te tahmaja, është puna e vet. Por të kesh mundësinë të qeverisësh këtë vend për shqiptarët, pa i zënë sytë me sherre, me shamata, nuk është tahma, është përgjegjësi. Dhe kjo është përgjegjësia jonë, e Partisë Socialiste dhe e Edi Ramës përballë çdo shqiptari që me të drejtë kërkon më shumë punë prej nesh. Në katër vite qeverisje kemi pasur shkopinj nën rrota edhe andej nga nuk e prisnim”, u shpreh Tahiri.

Ditën e djeshme kryetari i LSI, Petrit Vasili i’u përgjigj zërave të ndryshëm nga Partia Socialiste, të cilët thonë se nuk mund të ketë makinë me dy timonë.

“Tahmaja e makinës me një timon. Po dëgjoj këtë teorinë e dy timonave. E kam dëgjuar edhe në 1994 kur mbahej referendumi për një timon në një makinë blu. Fundi i makinave me një timon dhe pa frena ka qenë gjithmonë i njëjtë. Populli është aty, më i vëmendshëm se në 1994”, shkruan Vasili në Facebook. /a.y/noa.al

“S’mund të ketë makinë me dy timonë”, Vasili i përgjigjet PS: Fundi, gjithmonë i njëjtë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd