Transmetuar më 16-04-2017, 09:23

“Të gjitha mesazhet që Besmir Lila i ka dërguar prezantueses Luana Vjollca janë fjalë të dala nga shpirti. Ajo nuk i është përgjigjur, por as nuk i ka bërë ‘block’ mesazheve të tij. I vetmi faj që ka bërë klienti im është që ka dashuruar një vajzë të bukur”.

Argumentet në fjalë dhe të tjera të pohuara dje nga avokatët mbrojtës të 32- vjeçarit të akuzuar për “përndjekjen” e moderatores televizive nuk u dukën bindës për gjyqtarin Artan Lazaj.

Në përfundim të seancës gjyqësore të zhvilluar në orët e paradites në Gjykatën e Tiranës, gjyqtari caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të. Lila do të hetohet në këtë masë sigurie për akuzat e “përndjekjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Përfaqësuesi i prokurorisë në sallën e gjyqit tha se Lila ka përndjekur prej disa muajsh prezantuesen Vjollca. Sipas prokurorit, ky veprim ishte realizuar në forma të ndryshme, duke i dërguar SMS në telefonin dhe në rrjetet sociale, si edhe i ka shkuar te vendi i saj i punës, apo pranë banesës.

“Në një rast ai i ka shkruar SMS ‘jam poshtë shtëpisë tënde, po ngjitem lart”, lexoi prokurori në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.

Duke iu referuar edhe armës së gjetur në çantën e Lilës ditën e arrestimit, prokurori i tha gjykatës se Lila paraqet rrezikshmëri shoqërore. Avokatët mbrojtës, Adnand Caka dhe Luan Daci, pretenduan se klienti i tyre nuk kishte përndjekur prezantuesen.

“Prokuroria ka printuar 60 faqe me SMS-të e dërguara drejt prezantueses, por në asnjërin prej tyre nuk ka asnjë fjalë fyese apo kërcënuese. Në secilin prej tyre shprehet simpati dhe dashuri. ‘Të dua’, ‘Të dashuroj’, ‘Gjithë jetën të pres’ nuk janë përndjekje. Mesazhi ‘të puth në buzë’ nuk është kërcënim”, thanë avokatët.

Në lidhje me armën, mbrojtësit pretenduan se ajo është armë gjahu dhe jo luftarake. Nga kafazi i xhamtë i sallës së gjyqit Lila tha se ishte dakord me avokatët, duke mos komentuar në lidhje me dashurinë e tij për prezantuesen, shkruan ‘panorama’.

Në lidhje me armën ai tha se “Unë merrem me sport në natyrë. Për atë punë e kisha, jo për gjë tjetër”.

Përndiqte e sulmoi Luana Vjollcën: Më premtoi martesë

Zbardhet sherri për Luanën, arrestohet djali që e përndiqte, i dhunoi dhe të dashurin

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd