



Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi i kthen përgjigje Kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet sot në qytetin verior.
Ajo thotë se sa herë që flet Kryeministri për Shkodrën bën autogol, ndërsa shton se është shumë komode që ta ketë atë kundërshtar.
“Edhe një grusht njerëzish socialistë që të kanë mbetur në Shkodër e dinë se ura e Bunës është pronë e Ministrisë se Mbrojtjes. Ju vetë, qëllimisht po tentoni të shkatërroni Shkodrën, por nuk ia dolën asnjë, as komunizmi! E ketë lojë e kanë kuptuar të gjithë.
Sa për transparencë, po publikoj shkresën që i kemi dërguar Ministrisë dhe u kemi thënë që po kontribuojmë me fonde, por ato kanë heshtur, sepse duhet që ti të bësh foto!”, shkruan kryebashkiakja në Facebook.
Ademi shton se nëse Rama ka dashuri për Shkodrën atëherë, kërkon që të mos e shkatërrojë siç thotë ajo, po bën për hakmarrje politike.
“Dhe nëse ke dëshirë të drejtosh Shkodrën në qofsh burrë, hajde pas dy vitesh, konkurro këtu në Shkodër përballë meje! Faleminderit që ekziston Edi Rama!”, përmbyll qëndrimin e saj Ademi.
Ky reagim i saj vjen pasi nëpërmjet një fotografie të postuar në Facebook, Rama shkroi se ishte rrugës për në Shkodër për një takim me votuesit për herë të parë, ku denonconte gjendjen e Urës së Bunës.
Kreu i qeverisë shkruante se Shkodrën e ka dashuri të vjetër sa jeta e kujtimi i gjyshes së tij dhe dhimbje, sepse s’po mundet të bëhet dot aq sa meriton.
“Kjo është Ura e Bunës dhe i lutem çdo shkodrani që e sheh, t’ia çojë këtë pamje të trishtueshme kryebashkiakes dhe t’i thotë se nuk duhen lekë, po mjaftojnë sytë e dashurisë për Shkodrën, për ta riparuar brenda muajit! Veç mos i thoni që ju thashë unë, se e shkreta Voltanë mendon se sa më shumë të rrënohet Shkodra, aq më shumë do t’i urrejë socialistët✌Vajmedet për Shkodrën”, shkruan Rama. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





