
Kryeministri Edi Rama thotë se rrugëtimi drejt zgjedhjeve të 18 qershorit ka nisur me votuesit e parë në gjithë Shqipërinë.
Duke folur sot nga Shkodra në një takim me të rinjtë, ai tha se Shqipëria që duam është shumë më e mirë se Shqipëria që kemi.
Sipas tij, Shqipëria që kemi është një udhëkryq që ndahet më 18 qershor, nëse do të vazhdojë lufta për drejtësi dhe shtet të drejtë apo do ketë kthim mbrapsht tek Shqipëria që kishim.
Rama deklaroi se Shqipëria që kishim është e ngujuar në një çadër në mes të bulevardit “dhe ju e dini mirë kush ngujohet ka një arsye për tu fshehur, ka një faj për të larë. Ka një motiv shumë të fortë për të refuzuar të ballafaqohet me njerëzit dhe ngujimi në atë çadër është ngujimi që vjen prej një frike shumë të madhe, frika nga drejtësia”.
Në këtë drejtim deklaroi se themelet e çadrës janë ndërtuar nga themelet e shkatërruara të drejtësisë.
Ai tha se nëse nuk bëhet Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, Bashkimi Europian nuk i’a jep dorën Shqipërisë.
Rama tha se opozita është gati të thotë se faji është i ambasadores së BE dhe më shumë se kaq, duke e kthyer vendin në burg, madje të sulmojë dhe ambasadorin amerikan.
Më tej ai shtoi se çlirimi i drejtësisë do të bëhet për ti dhënë një hov edhe më të madh ekonomisë dhe punësimit dhe në këtë aspekt të gjithë janë të nevojshëm, por jo të gjithë sipas tij, mund ta kuptojnë rëndësinë e kësaj date, siç mund ta kuptojnë të reja dhe të rinjtë dhe gratë në radhë të parë, të cilat sipas kreut të qeverisë, e dinë shumë mirë se si mbahet një shtëpi, se çfarë e garanton dhe rrezikon një shtëpi.
“Burrat bëjnë detyrën, por burrat shqiptarë po s’patën gratë ngelen rrugëve dhe si prek kush me dorë, e ka thënë Çajupi i pari ‘burrat nënë hije lozin kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”, deklaroi Rama.
Ai tha se ndihet shumë krenar që sot qeveria shqiptare, është shembull jo vetëm në historinë e vendit por edhe në rajon që ka 50% gra dhe 50% burra, duke u zotuar se vajzave dhe grave do u jepet akses në vendimmarrje dhe punë.
Kryeministri deklaroi se ndjen trishtim kur shkon në Shkodër, duke thënë se është bërë sa është mundur por mund të bëhej edhe më shumë.
Sipas tij, është bërë për Shkodrën atë që bën dashuria për një qytet si Shkodra, respekti për historinë për një qytet si Shkodra dhe mirënjohja për një qytet të tillë.
“Kemi rindërtuar teatrin, stadiumin dh muzeun Marubin dhe për këto të treja për fat të mirë nuk kemi pasur nevojë për leje për bashkinë. Ndërkohë për bashkinë, që thonë se socialistët nuk e duan Shkodran, thuajini të marrin makinën apo autobusin dhe të bëjnë një xhiro përtej kufirit ku fillon Malësia e Madhe dhe Pukë. Për ne njerëzit kanë të njëjtën vlerë, ndaj duam një drejtësi që njerëzit ti njohin të barabartë para ligjit”, deklaroi Edi Rama.
Në këtë linjë tha se duke pasur një drejtësi të drejtë do ketë shumë më tepër mundësi për të investuar jo vetëm ato që janë paratë e publikut por për të sjellë shumë më tepër ide që investohen përmes sipërmarrësve të huaj dhe vendas./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





