Transmetuar më 29-03-2020, 11:49

Nga 212 persona të cilët janë konfirmuar zyrtarisht si të prekur nga koronavirusi, aktualisht të shtruar në spitalin Infektiv ndodhen 76 persona.

Prej tyre 6 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar, në gjendje kritike.

Gjendja e katër të intubuarve cilësohet kritike, pasi siç kanë shpjeguar ekspertët e Infektivit, mes tyre mjeku Pëllumb Pipero, shumë rrallë pacientë të tillë ia dalin.

Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Këto të dhëna u bënë me dije nga zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli në raportimin ditor.

Ajo bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 111 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1436 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 212 raste, teksa kanë humbur jetën deri tani 10 qytetarë.

Ndërkohë janë 7 të shëruar në 24 orët e fundit mes të cilëve 2 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Deri tani kemi 40 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Mirditë dhe zgjerohet në Tiranë, Fier dhe Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është në Tiranë 121 raste; në Durrës 12 raste; në Lushnje 4 raste; në Elbasan 5 raste; në Fier 22 raste; në Kavajë 4 raste; në Rrogozhinë 2 raste; në Korçë 12 raste; në Vlorë 5 raste; në Shkodër 5 raste; në Lezhë 5 raste; në Berat 1 rast; në Has 2 raste; në Krujë 5 raste; në Tropojë 3 raste; në Pukë 3 raste dhe në Mirditë 1 rast. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE