Transmetuar më 24-03-2019, 12:41
Perparim Merdani

Dalin detaje të reja lidhur me grabitjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të premteje, në fshatin Greshicë të Mallakastrës, ku persona të maskuar, grabitën me anë të dhunës një familje.

I zoti i shtëpisë Përparim Merdani, thotë për mediat se dy djem të rinj të maskuar me thikë në dorë dhe me një shkop bejsbolli, i kanë kërcënuar dhe iu kanë kërkuar çelësin e dhomës ku mbanin paratë.

I moshuari tregon se bashkë me gruan e kishte zënë gjumi, por u zgjuan nga ulërimat e mbesës e cila pa të dyshuarit.

“Hynë papritur, më vunë thikën në kokë, kontrolluan të gjithë shtëpinë. Dhoma ku kisha paratë ishte e mbyllur me çelës, refuzova t’i jepja çelësin, por më goditën me grushte”, ka treguar Merdani.

Ai shton se më tej grabitësit shqyen dhomën ku mbante paratë, i morën dhe u larguan.

Përparimi tha se i kanë marrë 1 milion e 700 mijë lekë të vjetra, të cilat ia kishte sjellë vëllai nga Anglia për nënën e sëmurë.

Ndërkohë Policia e Fierit informoi mëngjesin e sotëm se arriti të zbardhënë një kohë të shpejtë ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 22 marsit.

Pas marrjes së njoftimit se në një banesë në fshatin Greshicë kishin hyrë të maskuar, tre persona ku nën kërcënimin e armëve të ftohta kishin dhunuar familjarët dhe i kishin marrë një sasi lekësh, u ngrit grupi hetimor i cili bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimin në kohë rekord të autorëve të dyshuar.

Pas një pune hetimore u bë ndalimi i Klejdi Saliaj, 21 vjeç dhe Arbër Muçaj, 22 vjeç, banues në Panahor, të dy të dënuar më parë për vjedhje me armë në Greqi.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, M.H.

Arrestimi i të dyshuarve u bë këtë të shtunë, ndërkohë që në ngarkim të tyre materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al

Rrahin të zotët e shtëpisë dhe vjedhin banesën, dy në pranga, një tjetër në kërkim