Transmetuar më 21-03-2019, 10:06

Ralf Gjoni, ish-këshilltari i Presidentit Ilir Meta, i cili u sulmua me bojë teksa dilte nga banesa e tij për të shkuar në Parlament ku do të betohet si deputet në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, reagon lidhur me atë që ndodhi.

“Ai dhe ajo që e ka porositur këtë sjellje rrugaçërore, i them se nuk frikësohem dhe se jam këtu të përfaqësoj gjithë ata të rinj dhe të reja pozitiv, të cilët kanë shpresë se ky vend mund të bëhet. Mund ta merrni me mend se kush e ka bërë”, u shpreh Gjoni.

Lidhur me sulmin ai tha se policia po bën verifikimet, por tha se nuk frikësohet nga kushdo që synon të sjellë destabilizimin e vendit.

Po ashtu ai shtoi se ka pranuar të bëhet deputet, “jo që të marr një rrogë të qelbur shteti,  por të përfaqësojë atë pjesë të shoqërisë që nuk është e përfaqësuar nga kjo klasë e papërgjegjshme politike”.

Po ashtu Gjoni kutjoi se është edhe shtetas shqiptar dhe shtetas i huaj, duke nënvizuar se nuk do lejoj që emri dhe kontributi i tij të keqpërdoren.

I pyetur se si do të votoj në Parlament pas betimit si deputet, tha se, “Jeni në vete? Mendoni se unë vij për ti bërë fresk qeverisë?”

Paraditen e sotme drejt Gjonit një djalë i ri ka hedhur bojë me shiringë, teksa po dilte nga pallati.

Gjatë seancës së sotme parlamentare pritet të betohen tre deputetët e rinj nga radhët e LSI, të cilët u miratuan ditën e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ata janë Ralf Gjoni i cili zë vendin e Klajda Gjoshës në qarkun e Tiranës, Nimet Musai i cili zë vendin e Petrit Vasilit për Fierin dhe Enada Koçiraj e cila zëvendëson Shezai Rrokaj për qarkun e Vlorës.

Me betimin e tyre shkon në 14 numri i deputetëve të rinj opozitarë.

Kjo pasi në seancën e kaluar parlamentare u betuan Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.

Ndërkohë dy javë më parë morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, Ylli Shehu, Enver Roshi dhe Ediola Braha nga radhët e LSI. /a.y/noa.al

Pranoi mandatin e deputetit, Ralf Gjonit i hidhet bojë