Transmetuar më 21-03-2019, 09:42

Ralf Gjoni, ish-këshilltari i Presidentit Ilir Meta, i cili pranoi mandatin e deputetit në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, është sulmuar me bojë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, teksa po dilte nga shtëpia e tij, për të shkuar në Parlament, ku dhe do të bënte betimin si deputet.

Mësohet se atë e kanë pritur në dalje të pallatit, ku dhe e kanë lyer me bojë të kuqe.

Drejt Gjonit një djalë i ri ka hedhur bojë me shiringë.

Gjatë seancës së sotme parlamentare pritet të betohen tre deputetët e rinj nga radhët e LSI, të cilët u miratuan ditën e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ata janë Ralf Gjoni i cili zë vendin e Klajda Gjoshës në qarkun e Tiranës, Nimet Musai i cili zë vendin e Petrit Vasilit për Fierin dhe Enada Koçiraj e cila zëvendëson Shezai Rrokaj për qarkun e Vlorës.

Me betimin e tyre shkon në 14 numri i deputetëve të rinj opozitarë.

Kjo pasi në seancën e kaluar parlamentare u betuan Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.

Ndërkohë dy javë më parë morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, Ylli Shehu, Enver Roshi dhe Ediola Braha nga radhët e LSI. /a.y/noa.al