Transmetuar më 25-07-2018, 09:07

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, dha sot vendimin për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli, i cili iu nënshtrua procesit të vetingut.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli dhe me anëtarë, Roland Ilia dhe Genta Tafa Bungo, e gjetën “të pastër” gjyqtarin, duke e konfirmuar në detyrë.

Faqolli u vlerësua sa i takon aftësisë profesionale, pasurisë dhe vlerësimit të figurës.

Nga verifikimet e kryera, Faqolli ka deklaruar se në vitin 2011, ka shpenzuar 3 milionë lekë për ndërtimin e një prone por sipas KPK kjo shumë nuk përputhet me atë të provuar në fatura, gjë që nga dokumentacionet shtesë u sqarua.

Gjithashtu Faqolli rezulton me hua të marrë nga shtetasi I.Rr., 1 milion lekë. Gjyqtari deklaron një apartament 83.8 m2 në rrugën “Ali Demi” në Tiranë.

Astrit Faqolli iu nënshtrua me prioritet procesit të vetingut, për shkak të kandidimit në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ai e ka nisur karrierën si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010.

Ndërsa në vitin 2010, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit.

Më tej që nga viti 2013, Faqolli është pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës. /a.y/noa.al

Gjyqtari i gjykatës së Tiranës në sitën e vetingut, rrezikon shkarkimin