Transmetuar më 23-07-2018, 09:30

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli, ka dalë paraditen e sotme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku po mbahet seanca dëgjimore në ngarkim të tij.

Faqolli po i nënshtrohet procesit të vetingut, ku rasti i tij po shqyrtohet nga trupa gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli dhe me anëtarë, Roland Ilia dhe Genta Tafa Bungo.

Gjyqtari u paraqit vetë në seancë, i shoqëruar edhe nga avokati Julian Mërtiri.

Faqolli do vlerësohet sa i takon aftësisë profesionale, pasurisë dhe vlerësimit të figurës.

Nga verifikimet e kryera, Faqolli ka deklaruar se në vitin 2011, ka shpenzuar  3 milionë lekë për ndërtimin e një prone por sipas KPK kjo shumë nuk përputhet me atë të provuar në fatura.

Gjithashtu Faqolli rezulton me hua të marrë nga shtetasi I.Rr., 1 milion lekë. Gjyqtari deklaron një apartament 83.8 m2 në rrugën "Ali Demi" në Tiranë por edhe për të ka mospërputhje me deklarimin e vitit 2006 .

Për shkak të këtyre mospërputhjeve, gjyqtari rrezikon shkarkimin, madje nga deklarimet e bëra prej vetë tij konstatohet shtim i ndjeshëm i pasurisë.

Për rrjedhojë gjyqtari cilësohet si i papërshtatshëm për vijimin e detyrës.

Astrit Faqolli po i nënshtrohet me prioritet procesit të vetingut, për shkak të kandidimit në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ai e ka nisur karrierën si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010.

Ndërsa në vitin 2010, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit.

Më tej që nga viti 2013, Faqolli është pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës. /a.y/noa.al