Transmetuar më 23-04-2018, 14:09

Gunther Krishbaun, kryetari i Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, i njohur si një prej kritikëve për hapjen e negociatave me Shqipërinë, bën një tjetër koment.

Në një postim në Twitter, me një pamje nga seanca parlamentare e dy javëve më parë, kur drejt Kryeministrit Edi Rama u qëllua me miell dhe ujë, ai e cilëson si një kërkesë të parakohshme hapjen e negociatave.

“Së pari dhe më kryesorja, korrupsioni dhe nivelet e larta të krimit të organizuar janë një problem. Besoj se kërkesa për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë është e parakohshme, e papjekur”, shkruan Krishbaun, i cili është deputet i partisë së kancelares Anglea Merkel.

Qëndrimet e tij skeptike kanë ngjallur debate edhe mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Kreu i opozitës tha këtë të shtunë, se Edi Rama ka zgjedhur të prodhojë një sërë lajmesh shpifjesh dhe “fake news”, për qëndrimin e Krichbaum ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë.

Por Rama nëpërmjet një postimi të gjatë në Facebook shkroi se “Sapo paske thënë në shqip për publikun, atë që me ndihmën e “dashamirësve” të Shqipërisë, ke shkruar gjermanisht dhe dërguar dje në Berlin, për gjoja sulmin e financuar prej meje në kazanin mediatik të Tiranës, ndaj zotit Gunther Krischbaum!”.

Më tej deklaroi se kjo është fiks ajo që “ti dhe kanakarët e tu anglisht apo gjermanfolës”, bëni pa pushim prej kohësh, kudo e kurdoherë gjeni veshë të huajsh për të derdhur baltën tuaj. /a.y/noa.al

Basha e akuzoi se shpif ndaj deputetit gjerman, Rama: Kjo është fiks ajo që bën ti dhe kanakarët e tu

Basha: Rama fushatë shpifjesh me lajme të rreme, kundër deputetit gjerman