Transmetuar më 21-04-2018, 12:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu mesditën e sotme, hodhi një sërë akuzash ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se Rama ka nisur një fushatë me lajme të rreme dhe shpifje kundër kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum.

Sipas tij, Edi Rama ka zgjedhur të prodhojë një sërë lajmesh shpifjesh dhe ‘fake news’.

“Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate që po zhvillohet prej 3 ditësh në media është se ajo financohet nga paratë e krimit e të drogës e lidhet dretpërdretjë me Edi Ramën e Saimir Tahirin. Me sulmet kundër Krichbaum, Rama po shton radhët e deputetëve në Bundestag që janë pesimistë për hapjen e negociatave ne Shqipërinë, vota të cilat janë të domosdoshme për qeverinë gjermane para se të marrë vendimin”, u shpreh Basha.

Ai dënoi ashpërsisht atë që e cilësoi si një fushatë skandaloze, kundër një politikani të ndershëm.

Sipas tij, Krichbaum është një ndër figurat më të nderuar dhe respektuar të Europës, mbi të gjitha është njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë.

“Por ai do një Shqipëri ku të sundojë shteti i së drejtës dhe demokracia, Ndaj ka shprehur hapur kritikat e tij. Kritikat e argumentuara të Krichbaum i janë shprehur Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare, edhe nga shumë qeveri të tjera të BE, mbrëmë nga SHBA. Por në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë, Rama ka zgjedhur të prodhojë fushatë shpifjesh kundër Krichbaum”, tha ndër të tjera Lulzim Basha. /a.y/noa.al

Rama: Basha eksportoi baltën e brendshme në Berlin! Raportet me opozitën të sekëlldisshme