Transmetuar më 19-04-2018, 11:58

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria fitoi një status të ri, sa i takon rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Duke folur në seancën e sotme parlamentare, ai u shpreh se ka nisur një fazë e re historike përgjegjësish të mëdha.

Ai tha se do të ishte shumë mirë që në këtë moment të ishin të gjithë bashkë, qoftë për vettigun, qoftë sot kur është fjala për të mos shfrytëzuar mundësinë në Europë për ti nxjerrë bishta Shqipërisë.

“Dua të bëj një dallim, rekomandimi i KE është dokumenti që provon se ne i kemi bërë një për një të gjitha detyrat dhe është momenti kur edhe politikisht Shqipëria duhet të mbështetet. Natyrisht që drejt atij momenti jo të gjithë, janë dakord, jo sepse domosdoshmërisht kanë një problem me Shqipërinë por se sot çdo vend anëtar i BE ka një dinamikë e cila flet qartë për rritje dhe kërcënim të projektit të Europës së bashkuar nga individë dhe forca që duan mbyllje dhe jo zgjerim”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se në këtë aspekt është e papranueshme dhe e pafalshme në raport me historinë që ti bashkohet këtyre individëve dhe këtyre forcave duke ushqyer me propagandën e baltës së prodhuar në vend për politikë të brendshme në Shqipëri, ata individë.

Kjo është ajo që ka ndodhur në Berlin 48 orë më parë dhe kjo është ajo që fatkeqësisht do të vazhdon të ndodh edhe deri në sekondën e fundit, deklaroi Edi Rama, duke iu referuar vizitës së Lulzim Bashës në Gjermani.

Sipas tij, kjo e bën të sekëlldisshme marrëdhënien me opozitën, e cila tha ai, është larg së qeni e pjekur për të qenë në lartësinë e këtij momenti, ku çdo shqiptar që ka mundësi të thotë fjalën e vetë në gjuhën e huaj, të thotë fjalën e mirë.

Ai shprehu bindjen se pa Partinë Socialiste, Shqipëria nuk mund të jetë vend kandidat, dhe nuk e merrte dot rekomandimin e kushtëzuar në vitin 2006 dhe as rekomandimin për çeljen e negociatave sot.

Por Rama shtoi se, kjo nuk do të thotë se kjo është një fitore e PS apo tij, por rezultat i shumë e shumë viteve, pavarësisht se dikush ka bërë më shumë e dikush më pak.

“Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që na takon dhe mund ta bëjmë nëse opozita në rastin më të mirë të mos flasë kundër Shqipërisë duke eksportuar nëpër kryeqytetet e vendeve anëtare baltën e prodhimit vendas dhe pastaj në rastin ideal të bashkohet me ne në këtë betejë”, tha kreu i qeverisë.

Në këtë linjë, nënvizoi se rruga e anëtarësimit për në Bashkimin Europian është e gjatë e në këtë rrugë duhet angazhimi i të gjithëve dhe duhen marrë shembujt e atyre që janë vende anëtare.

Rama hoqi paralele duke thënë se kacafytja mes shumicës dhe opozitës ka arritur në pika kulmore edhe në shumë vende të tjera anëtare të BE, por shprehu bindjen se asnjë vend nuk e ka eksportuar baltën e brendshme dhe fjalorin për politikën e brendshme, në zyrat ku gjykohet vendi si i tërë.

Po ashtu ai u zotua se reforma në drejtësi dhe vettingu nuk do të mbeten thjeshtë ambicie.

Rama shprehu bindjen se Komisioni Europian nuk bën dhurata dhe nuk ka bërë asnjëherë gjeste bujarie për askënd, ndaj në këtë drejtim tha se, ka një vlerë të jashtëzakonshme fakti se KE ka njohur progresin e bërë, për të arritur në një vendim aspak të lehtë të komisionit në kushtet kur Europa e bashkuar nuk është në ditën e vetë më të mirë, në raport me projekti ne vetë të zgjerimit.

Në këtë proces dhe arritje të jashtëzakonshme kanë pasur rolin e tyre të gjitha aspejtet dhe prioritetet nga e para deri tek e prioriteti i pestë, por themelore tha ai, ka qenë beteja për drejtësi. /a.y/noa.al