Transmetuar më 15-01-2018, 12:45

Një ngjarje e rëndë u shënua mesnatën e lënë pas, ku një vajzë vetëm 7 vjeçe, e cila prej gati tre ditësh kishte shfaqur simptoma gripi, gjeti vdekjen.

Shefi i Pediatrisë së Durrësit, Fatmir Shahini duke folur për mediat mesditën e sotme, deklaroi se fëmija humbi jetën pas disa orësh në spital pas një terapie intensive.

“Arsyeja kryesore është gjendje virale, formë e rëndë. Ende nuk mund të flasim për grip se kërkon analiza. Është ngritur një grup nga Ministria e Shëndetësisë për të dhënë një konsultë shkencore. Po, toksike është formë e rëndë po ne kemi thënë për një formë virale të rëndë, por që ne dyshojmë pa e thënë pa përfunduar ekspertizat, në formë toksike”, deklaroi ai, duke iu referuar gripit toksik

Më tej shtoi se vajza ka ardhur në gjendje të rëndë, pasi i kishte rënë gjendje të fikëti në shtëpi, ku më tej u shtrua urgjent.

Mjeku Shahini shtoi se e mitura rreth orës 20.00 të së dielës u rëndua dhe më tej, duke bërë që mjeku reanimator të fusë në intubim.

“Por forma ishte aq e rëndë sa nuk u arrit të kthehej në jetë. Sipas asaj që thanë familjarët, e mitura kishte mbi 3-4 ditë me temperaturë të lartë”, deklaroi ai.

Më tej tha se vetëm ditën e djeshme janë bërë 174 vizita në urgjencën pediatrike, duke e cilësuar një numër rekord.

“Situata kërkon impenjim të të gjithë shoqërisë me qëllim që raste të veçanta të mund të kapen në kohë. Situata nuk është alarmante pavarësisht nga rasti se ne flasim për viroza. Viroza ka, komplikacionet pastaj janë të rralla dhe të egra. Apeli im është ky: ua kemi kërkuar familjarëve. Çdo rast që ata të kenë me shenjat e një virozë nga familjarët të mundet të anashkalojnë ose shkëpusin fëmijët e vegjël nga të sëmurët me virus gripi në shtëpi. Kur shenjat i manifeston vetë fëmija: Kujdes temperatura, ushqim me lëngje, të izolojnë sa të jenë e mundur takimet me të afërmit, daljet, xhirot”, tha shefi i Pediatrisë së Durrësit.

Ai apeloi çdo familjar që kur konstaton se fëmija nuk ka shenja përmirësime pas ditës së dytë dhe të tretë ta çojnë fëmijën tek mjeku i familjes, i cili merr dhe vendimin se si do veprohet më tej. /a.y/noa.al

E rëndë në Durrës! Vogëlushja 7 vjeçe humb jetën prej një gripi të rëndë