Transmetuar më 27-07-2017, 09:11

Bashkia e Tiranës pritet t’i kërkojë Entit Rregullator të Ujit lejimin e rritjes së tarifave të furnizimit me ujë në kryeqytet me 44%, për të mbuluar investimet për rinovimin e rrjetit, për shtimin e reklamave të ujësjellësit si dhe për "komisione bankare", ndërkohë që kostot e personelit e shpenzime të tjera operative do të mbeten të larta, raporton BIRN

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj inspekton punimet në rrjetin e ujësjellësit | Foto nga : Bashkia Tiranë

Një projektvendim i Këshillit të Bashkisë Tiranë i publikuar nga këshilltarët e Partisë Demokratike në opozitë tregon se Ujësjellës Kanalizime SH.A, kompania nën pronësinë e bashkisë Tiranë që është përgjegjëse për furnizimin me ujë dhe heqjen e ujërave të zeza, ka kërkuar një rritje drastike të çmimit të ujit për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Çmimi i ujit sipas propozimit duhet të rritet për konsumatorët familjarë nga 45 lekë për metër kub që është sot në 65 lekë për metër kub në vitin 2018, me një rritje prej 44%. Për konsumatorët biznes çmimi parashikohet të rritet nga 135 lekë për M3 në 235 lekë ose me një rritje 74 për qind. Për konsumatorët buxhetorë çmimi kërkohet të rritet nga 120 në 170 lekë ose 41 për qind. Përveç kësaj, UKT kërkon që tarifa fikse mujore, e cila nuk varet nga niveli i konsumit, të rritet me 100% nga 100 lekë që është aktualisht në 200 lekë. Administrata e Bashkisë thotë se rritja e çmimit do të mundësojë kryerjen e investimeve të nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt me ujë 24 orë rreth vitit 2021.

Miratohet me 31 vota rritja e çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë

“Orari i shërbimit ka qenë me 7 orë ujë kur e la Basha, sot jemi me 13 orë ujë në ditë. Maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit me ujë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër si të rrisim investimet,” deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj ditën e martë kur foli para këshilltarëve bashkiakë të partisë së tij dhe të LSI. Shifrat e dhëna nga Veliaj për orarin e furnizimit me ujë në fakt janë në ndryshme nga shifrat e dhëna nga Enti Rregullator i Ujit, institucioni që mbikëqyr tregun. Sipas raportit vjetor të performancës të vitit 2016 të ERRU, [link faqe 61] Tirana është furnizuar gjatë vitit 2016 me mesatarisht 10.83 orë në ditë dhe furnizimi ka njohur një përkeqësim të lehtë në krahasim me vitin 2014, kur ka qenë 11.04 orë në ditë. Këto janë shifra shumë të ndryshme prej atyre të pretenduara nga Veliaj për 7 orë furnizim “kur e la Basha” dhe 13 orë furnizim aktualisht.

Ndonëse bashkia pretendon se rritja e çmimit synohet të bëhet për të mbuluar kostot e investimeve, plani i biznesit të ujësjellësit i parë nga BIRN duket se synon thjeshtë të rrisë të ardhurat pa menduar për uljen e kostove operative dhe mirëmenaxhimin. Ndryshe nga sa pretendoi Veliaj në vitin 2015 për shkurtim të numrit të punëtorëve në ujësjellës, punonjësit e UKT janë në rritje dhe aktualisht numri i tyre është i njëjtë me numrin që kompania kishte “në kohën e Bashës”. Ujësjellësi është akuzuar gjithashtu nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqpërdorimin e miliona eurove përmes procedurave të prokurimit të dyshimta, të kryera pa garë dhe me çmime krahasimisht më të larta se sa më parë. Për më tepër, plani i biznesit shpreh dëshirën e drejtuesve të kompanisë për të shpenzuar miliona lekë reklama si një fond “i marrëdhënieve me publikun”, shpenzime që nuk kanë asnjë kuptim për shkak se Ujësjellësi është një monopol që ofron një mall të pazëvendësueshëm dhe për rrjedhojë, nuk ka nevojë për reklamë.

173 milionë euro investime

Rrjeti i ujësjellësit në rrugën ‘Naim Frashëri”

Ujësjellës Kanalizime SHA është një kompani aksionere nën pronësi publike. Megjithë keqadministrimin e njohur të shoqërisë, (përfshirë mbajtjen e një numri shumë të lartë të punësuarish), kompania rezulton me norma fitimi të konsiderueshme përgjatë të gjitha viteve të fundit. Kështu, në vitin 2014, kompania kishte 3 miliardë lekë të ardhura dhe 2.3 miliardë lekë shpenzime me fitime neto pas taksave në masën 435 milionë lekë ose 3.2 milionë euro.

Në vitin 2015, të ardhurat ranë në 2.8 miliardë lekë ndërsa më 2016, u rritën në 3.1 miliardë lekë. Ujësjellësi realizoi 640 milionë lekë fitime neto pas taksave gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, një plan biznesi [link] i kompanisë bën thirrje për shtim të fortë të shpenzimeve të kompanisë përgjatë pesë viteve të ardhshme, ku shpenzime të rëndësishme pritet të kryhen për blerjen dhe instalimin e matësave të rinj të konsumatorëve, për ndërrimin e tubave kryesorë të furnizimit të Tiranës si dhe për “Fondin e Marrëdhënieve me Publikun”.

Sipas “planit të biznesit”, lista e shpenzimeve kapitale të planifikuara për periudhën 2017-2021, ka një total prej 23.5 miliardë lekësh ose 173.4 milionë eurosh, ku zërat kryesorë të shpenzimeve janë rinovim i rrjetit kryesor të ujësjellësit dhe rinovim i rrjetit kryesor të kanalizimeve.. Investimet janë të ndara në afërsisht 5.5 miliardë lekë në vit dhe për të mbuluar këto investime, ujësjellësi kërkon të rrisë tarifat e furnizimit me ujë.

Por pavarësisht se plani i biznesit të ujësjellësit parashikon 173.4 milionë euro investime, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku foli për “220 milionë euro”.

Nuk ka parashikim për të ardhurat

Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT Redi Molla nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë, ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016. Por plani i biznesit nuk parashikon se sa do të rriten të ardhurat në një kohë kur rritja e tarifave do të jetë 40-70 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Plani i biznesit parashikon “të ardhura të dëshirueshme” në masën 4.6 miliardë lekë për vitin 2019, (rritje 43 për qind në krahasim me vitin 2016). Plani nuk parashikon përmirësim në eficencën e administrimit pasi ruan nivel të njëjtë të “shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes” si dhe nuk parashikon të ardhura shtesë nga lufta kundër vjedhjeve të ujit, në një qytet ku dy të tretat e ujit konsiderohen “konsum i pafaturuar”.

Gjithashtu, plani i biznesit pranon se humbjet nga uji i pafaturuar, termi teknik që përdoret për vjedhjet apo rrjedhjet e pakontrolluara në rrjet, është sa dy të tretat e të të gjithë ujit të hedhur në rrjet. Sipas planit të biznesit, këto rrjedhje pritet të reduktohen në 40 për qind në vitin 2021, por këto reduktime nuk parashikohet të sjellin të ardhura shtesë për ujësjellësin, i cili mendon se konsumi total i ujit të faturuar do të mbetet pothuajse i pandryshuar dhe reduktimi i vjedhjeve dhe rrjedhjeve do të sjellë vetëm reduktim të sasisë së ujit të përpunuara në impjante. Sipas Raportit të Performancës të Entit Rregullator të Ujit, uji i pafaturuar në UKT u rrit në vitin 2016 në gati 68 për qind, me 1 pikë për qindjeje më shumë se sa në vitin 2015, gjë që duket se nuk përmbush pretendimet e Bashkisë për menaxhim më të mirë.

Kostot operacionale të larta dhe punësimet në rritje

Në fund të vitit 2015, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të pushonte nga puna disa qindra punonjës të UKT SH.A me argumentin se qenë punëtorë të tepërt, të punësuar për shkaqe politike nga administrata e mëparshme. Në nëntor 2015, me propozim të drejtorit të UKT dhe me miratimin e Këshillit Mbikëqyrës ku Bashkia e Tiranës kontrollon shumicën, u miratua një strukturë e re me 845 punonjës, nga mbi 1200 punonjës që kishte UKT më herët. Gjatë muajit dhjetor 2015, u pushuan nga puna 436 punonjës, me arsyetimin: “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”.

Punimet në rrjetin e ujësjellësit në rrugën Naim Frashëri

Mbingarkimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave dhe ndërmarrjeve të tjera të sektorit publik me punëtorë të panevojshëm është një praktikë e zakonshme në Shqipëri dhe shkurtimi i numrit të punonjësve është një kërkesë e përhershme e Entit Rregullator të Ujit për ndërmarrjet e ujësjellësave. Problemi është se ndryshe nga sa flitej në strukturën e miratuar në 2015 për 845 punonjës, në fund të vitit 2016, UKT pati 1150 punonjës, sipas dokumenteve të UKT të duke sugjeruar se pushimet nga puna të vitit 2015 nuk qenë ristrukturim për reduktim kostosh, siç u predendua, por një zëvendësim i rëndomtë i militantëve me militantë. Sikur të mos mjaftonin punësimet e reja të vitit 2016, UKT ka në plan të shtojë më tej të punësuarit gjatë vitit 2017, duke i kthyer ekzaktësisht në nivelin e vitit 2015, në rreth 1227 vetë.

Konsumatorët paguan dy palë punonjësish

Pushimet nga puna të vitit 2015 nuk është se nuk u paguan. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto pushime të administratës së re qenë dukshëm në kundërshtim me kodin e punës dhe pak a shumë të gjithë punonjësit u paraqitën në Gjykatën Administrative, e cila dha kompensimet përkatëse në paga. Sipas raportit të KLSH, gjatë vitit 2016 u hapën 211 procese gjyqësore. Deri në çastin që u hartua raporti i KLSH, 33 procese gjyqësore janë mbyllur në të gjitha shkallët me një kosto për konsumatorët e ujit prej 21.4 milionë lekë. Në total, parashikohet se mbi 68 milionë lekë (afro gjysmë milioni euro), do t’i kushtojnë konsumatorëve të ujit pushimet e padrejta nga puna dhe këto janë kosto krahas pagave të të punësuarve të rinj.

Asnjë reduktim në kostot operative dhe miliona për reklama

Ujësjellësi ka aktualisht 2.3 miliardë lekë (17 milionë euro), shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes, ku përfshihen kostot e prodhimit të ujit, kostot e punëtorëve dhe kosto të tjera. Sipas planit të biznesit, ujësjellësi nuk ka në plan të reduktojë numrin e punonjësve, siç pati vepruar më 2015, por ka në plan të rrisë katërfish shpenzimet “për marrëdhënien me konsumatorin”.

Fondi “shpenzime personeli”, i cili përfshin mbajtjen e mbi 1200 të punësuarve me rroga dhe shpërblime të tjera, zë 35 për qind të të gjitha shpenzimeve, parashikohet të rriten.

Ndoshta shpenzimi më i çuditshëm i planifikuar nga plani i biznesit të ujësjellësit është shpenzimi për “marrëdhëniet me publikun”. Plani i biznesit shkruan: “Zëri i shpenzimeve për Marrëdhëniet me Publikun është llogaritur në bazë të një strategjie që synon të mbështesë dhe promovojë shërbimet e UK Tiranë tek publiku dhe të prezantojë objektivat dhe synimet kryesore të Shoqërisë. Duke pasur parasysh se kostot për Fushatat e Marrëdhënieve me Publikun ishin afërsisht 25 lekë për lidhje në vit dhe duke marrë në konsideratë edhe rëndësinë që ka ky zë për një shoqëri ujësjellës-kanalizime në madhësinë e UK Tiranë (më e madhja në Shqipëri), drejtuesit e Shoqërisë kanë parashikuar një rritje të kostove të Marrëdhënieve me Publikun duke buxhetuar një shpenzim prej 167 lekë për lidhje në vit për periudhën 2017-2021”.

Punëtorë në punime te ujësjellësit në rrugën Naim Frashëri

Totali i shpenzimeve të planifikuara për reklama nuk jepet, por ujësjellësi përdor dy kritere në raportimin e “numrit të lidhjeve”, njëra është lidhjet e furnizimit me ujë, rreth 230 mijë, si dhe numri i lidhjeve me ujë dhe kanalizime rreth gjysmë milioni. Ky është një zë i çuditshëm për shkak se ujësjellësi dhe kanalizimet janë një monopol publik dhe njëkohësisht janë mallra të domosdoshëm, rrjedhimisht nuk kanë nevojë për reklamë.

Keqadministrim me prokurimet

Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu një auditim gjatë vitit 2016 në kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve ku zbuloi një gamë të gjerë shkeljes, nga punësimet me dosje të paarshivuara te prokurimet me procedura emergjente dhe me kosto financiare të konsiderueshme.

Në lidhje me mbifaturimet e vëna re nga publiku në fillim të vitit 2016, KLSH vëren se administrata e ujësjellësit nuk e ka zbuluar shkakun e vërtetë të mbifaturimeve pavarësisht se një ish-drejtor pretendoi në konferencë për shtyp se “kishte pasur ndërhyrje nga jashtë”, duke supozuar se bëhej fjalë për një sulm piraterik në sistemin elektronik të ujësjellësit.

“Ish-Drejtori i përgjithshëm i UKT z. N.Gj dhe z. K.Z i cili ka lidhur kontratë qiraje me UKT për programin që përdoret në sistemin e menaxhimit të informacionit në konferencën për shtyp me datë 22.02.2016, kanë deklaruar se ka patur ndërhyrje në sistem nga jashtë dhe për këtë ngjarje është bërë kallëzim penal. Nga auditimi i dokumentacionit në dispozicion, nuk rezulton të jetë bërë kallëzim penal”, thuhet në raportin e KLSH.

Raporti vëren mes të tjerash që bilanci i Ujësjellësit nuk mbahet sipas standardeve të kontabilitetit dhe në një numër të madh rastesh, ujësjellësi detyruhet të paguajë gjoba tatimore për dorëzim të vonuar të deklaratave tatimore. Në disa raste, procedurat e tenderimeve për riparime në rrjetin e ujësjellësave kanë përdorur kritere diskriminuese ndaj operatorëve pjesëmarrës, gjë që ka ulur konkurrencën dhe ka rritur kostot për konsumatorët e ujit. Në një rast, ujësjellësi ka bërë tender për blerje kimikatesh për përpunimin e ujit me procedurën “Negocim pa shpallje”. Argumentimi ka qenë që për shkak se ujësjellësi nuk kishte parashikuar siç duhet nevojat për kimikate, ai qe vënë në kushtet e emergjencës, gjë që detyronte blerjen me shpejtësi të tyre. Në këtë rast, ujësjellësi parashikoi një fond limit ndjeshëm më të lartë se sa kostoja e kimikateve në krahasim me vitin e kaluar pavarësisht se pala e kontraktuar qe ekzaktësisht e njëjta kompani.