Transmetuar më 26-07-2017, 20:08

Është miratuar në këshillin bashkiak, me asnjë votë kundër e asnjë abstenim, plani i bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë për m3, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Plani është votuar pro bashkë me propozimet e PDIU-së, të ngjashme me ato të LSI-së.

Kreu i këshilltarëve të PS-së tha se “plan biznesi i UKT-së tashmë i kalon ERU-së dhe janë ata që parashikojnë vendimin, që vendosin çmimin”. “Por ne kemi këtë çmim në plan-biznes”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i LSI-së tha se nuk është problem i madh rritja e çmimit të ujit në këtë masë. Ai kthehu në vëmendje edhe kushtet e LSI-së, për të cilat tha se “janë marrë parasysh”. Ndërkohë këshilltarët e djathtë braktisën mbledhjen fill pas nisjes së saj.

Në mbledhjen e sotme të këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se plani i biznesit do të garantojë një sërë investimesh që do të mundësojnë furnizimin pa ndërprerje.

Në planin e biznesit të Bashkisë së Tiranës  parashikohen që 10 milionë euro të investohen për shtimin e burimeve të ujit, ku është identifikuar burimi i Gurit të Bardhë në Burrel që do t’i shtohet Tiranës, 5 milionë do të investohen për përpunimin dhe filtrimin e ujit, 50 milionë do të investohen në sistemin e transmetimit për të garantuar uljen e kostos dhe zhdukjen e humbjeve pasi sistemi do të jetë i papenetrueshëm, 50 milionë të tjera do të investohen në rrjetin e shpërndarjes që do të shtrihet në mënyrë kapilare në çdo lagje, sidomos në ato informale dhe ato të krijuara pas viteve 1990 si dhe 40 milionë të tjera do të investohen në kanalizime.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se përmes këtij vendimi qytetarët do të shpëtojnë nga depozitat dhe nga kostot shtesë që janë detyruar të paguajnë përveç faturës së UKT. “Të shpëtojmë nga pompa që është kosto më vete, të shpëtojmë nga blerja e ujit në markete që është kosto më vete, të shpëtojmë nga të gjitha ato shpenzime, energjia elektrike për të përdorur pompën. Të gjitha këto janë kosto, sepse njerëzit mendojnë se kosto është vetëm fatura e UKT”, tha ai.

Veliaj deklaroi se shembulli i suksesit është Bashkia e Korçës, e cila pas ndryshimit të tarifës së ujit, siguroi realizimin e një sërë investimesh, duke siguruar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë.

Kreu i Bashkisë deklaroi se ata që sot kritikojnë, pavarësisht se e rritën çmimin e ujit të pijshëm me 125 për qind, si pasojë e keqmenaxhimit ulën kohën e furnizimit me ujë për qytetarët. “Investimet për herë të parë në 27 vjet janë rritur me 109%, pra kemi bërë 2-fishin e investimeve që janë bërë ndonjëherë në një vit normal.

Ndërkohë orari i furnizimit, e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë dhe e kemi sot Tiranën me 13 orë ujë në ditë. Lulzim Basha dhe Sali Berisha e rritën çmimin e ujit fshehurazi, pa pasur burrninë të vinin këtu siç jemi ne në Këshillin Bashkiak dhe ta diskutonin, por fshehurazi e miratuan vetëm me vendim bordi 125 %”, tha ai. /b.l/noa.al/