Transmetuar më 28-04-2017, 13:30

Partia Demokratike reagon ndaj tryezës së partive të vogla parlamentare me ambasadorët e akredituar në vendin tonë.

PD thotë se u informua sot nga aleatët opozitarë për qëndrimin e ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, sikur Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e martë, nuk pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.

Partia Demokratike konstaton me keqardhje se ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve. 

Më tej thuhet se pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e katër ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me tre pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve: 

-Ofertën që Kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.

-Për sa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës. 

– Partia Demokratike rikonfirmoi qëndrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi. 

Më tej shtohet se pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke çuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim. 

Po në të njëjtën linjë, Partia Demokratike shpreh shqetësimin për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin. Më tej nënvizon se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj. /a.y/noa.al