Transmetuar më 28-04-2017, 11:50

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, bashkon votat me Partinë Socialiste në favor të kandidaturës së Ilir Metës si President i ri i Republikës.

Ky fakt u konfirmua nga deputetja e PDIU, Mesila Doda, e cila foli pas takimit që partitë e vogla parlamentare, patën paraditen e sotme me ambasadorët e akredituar në vendin tonë.

Doda bëri me dije se tre deputetët e PDIU Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi dhe ajo e kanë dhënë firmën për Ilir Metën President.

Më tej shtoi se pati një bisede jo të mirë me ambasadorin e OSBE- ODHIR, Bernd Borchardt, “Ai u shpreh se mospjesëmarrja e PD në zgjedhje do të jetë thjesht një fjali në raport”.

Kujtojmë se Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme për të votuar për Presidentin e ri të Republikës.

Me propozim të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me pëlqimin e Partisë Socialiste, kryeparlamentari Ilir Meta është emri zyrtar i propozuar për postin e kreut të shtetit.

Seanca parlamentare kur pritet votimi do të mbahet në orën 17.00 dhe vjen pas djegies së tre raundeve të para, kur për zgjedhjen e Presidentit duhej një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla.

Ndërkohë në raundin e katërt mjafton miratimi me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. /a.y/noa.al