Transmetuar më 19-03-2017, 13:10
Publicitet

Tiranë, 19 mars 2017, NOA.al- Pas replikave shpotitëse të ditës së djeshme mes deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, vijojnë reagimet.

Ka qenë Kryemadhi e cila kërkon të mos bëhet kompromis në kurriz të dijeve, duke shtuar se ministrat dhe deputetë ikin dhe se ajo që mbetet është arsimimi i mirë.

“Asnjëherë mos bëni kompromis në kurriz të dijeve tuaja. Ministrat dhe deputetët ikin dhe vijnë dhe ajo çka ju mbetet është arsimimi i mirë. Besoni gjithmonë në bindjet dhe idetë tuaja dhe kurrë mos besoni se ai që ka më shumë pushtet ka gjithmonë të drejtë.

Një shans për të gjithë”, shkruan sot në Facebook, bashkëshortja e kreut të LSI, Ilir Meta.

Ndërkohë ditën e djeshme Kryemadhi kërkoi që të mos përsëriten më gabimet që u bënë me maturën shtetërore, pasi cenojnë të ardhmen e maturantëve.

Ky qëndrim solli një reagim të ministres Nikolla, e cila në një status në Facebook shprehej se e mirëkupton klimën para fushatës zgjedhore, dhe jep sqarime për atë se çfarë ndodhi një vit më parë.

“E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit”, shkroi ministrja./a.y/noa.al

PS-LSI përplasen për maturën, Kryemadhi dhe Nikolla replikojnë në distancë

Kryemadhi: Uroj që matura shtetërore e këtij viti, të jetë ajo çka presim të jetë