Transmetuar më 02-03-2017, 10:04

Përgjimet e bisedave që bënin mes tyre pronarët e parcelave me drogë kanë zbuluar bashkëpunimin e tyre me ish-shefin e rendit në Policinë e Kurbinit, Ylli Vata.

Ai është shpallur në kërkim nga gjykata, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila ka kërkuar masën “arrest me burg”. Një nga provat e Prokurorisë është edhe përgjimi mes shtetasit Luftar Nelaj, i arrestuar në nëntor 2016, dhe një pronari tjetër të një parcele me drogë.

Gjatë bisedës, ata flasin mes tyre dhe duket se kanë informacion se një ditë më vonë, pra të nesërmen e bisedës, shefi i rendit në Policinë e Kurbinit, Ylli Vata, do të shkonte me policët e tij për kontrollin e zonës. Ylli Vata, me funksion shef i rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, akuzohet në kuadër të një hetimi për veprat penale “kultivim të lëndëve narkotike”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Prokuroria thekson se urdhërarresti ende nuk është zbatuar, pasi i dyshuari nuk është paraqitur në punë që prej ditës kur ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, më 13 shkurt 2017.

Përgjimet

Shpjegim:

A- Luftar Nelaj

B- Personi tjetër (kultivues parcelash me drogë).

Ylli Vata me grupin e kontrollit të policisë do të shkonte në zonën ku ka parcelat personi i emëruar me germën B.

A – A je tu e marr njiher n’telefon?

B – Po e mar unë, por kur don me ardh trama, nesër?

A – Po… nesër tha jena për rrugë mjes, masi t’pime kafe dikun tha…se kanë punt e veta, o burr… se kan për të shku me therr do kedha me i ven, edhe kur të kthejn, kan për t’ardhë me pa ato tujet.

B – D.m.th., nesër vijn aaaa?

A – Për zotin masdite tha… po pa merak o burr tha, se ska pse me u ashtuna…! …për siguri merre e thuj a ke maru punë me kan thuj, se mori daja thuj se kan për t’ardh o nesër mbasdite n’darket e takoni me i vena ty ke shpia juj.

B – Nesër qy n’mgjes kan me dalë ata eee?

A – Jan me i vena ta tu ashtuna se nuk ma tha… s’jan ka ken a , jan tu ashtu njiher.

B – A vin vet nesër, vet tramal?

A – Po do vin pra se m’tha… se i thash kshu, kshu, mduket kan gjet nji tjetër, asier n’bot tha, kush osh ai tjetër!!! ..kshu e mora vesh i thash se kur kan çu dikën tjetër… po jo or tha, se ato punime do t’i baj na… gjithsesi ti bone i telefonatë e thuj …a ke maru punë thuj se kan për tardh nesër me pa ene shpinë tate, ene ka na…. Shkurt e sakt.

B – Po.

A – Po m’trego t’lutem, aaa?

B – Po.

Hetimi/ Sipas akuzës, oficeri i policisë Vata, duke qenë edhe epror direkt i specialistëve të policisë të zonave, ka ndikuar në moskryerjen e detyrës së tyre, si pjesë e zinxhirit kriminal dhe si bashkëpunëtor në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Për këtë çështje, në nëntor 2016 u arrestua edhe polici Zan Kasmi, vartës i Ylli Vatës.

Asokohe u tha se polici u kishte nisur kultivuesve të drogës mesazhin “po vijnë dasmorët, kujdes krushqit”, duke nënkuptuar kontrollet e policisë për parcelat me drogë. “Emri i shefit të rendit të Kurbinit rezultoi gjatë hetimit të nisur pak muaj më parë nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilit, në nëntor 2016 u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie”, tha Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kjo e fundit kishte nisur hetimet që në korrik 2016 pas marrjes së dosjes nga Prokuroria e Kurbinit.

Si rezultat i hetimeve, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cenohet nga forcat e Policisë së Komisariatit të Kurbinit, shkruan ‘panorama’. Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimin e lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.

Shefi i Rendit në Laç në kërkim, dalin detaje si favorizoi kultivuesit e kanabisit

Favorizoi kultivuesit e kanabisit, në kërkim shefi i Rendit të Laçit