

Tiranë – Në një kohë kur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës ndodhen në nivelet më të ulëta dhe Shqipëria figuron në listën e vendeve “jomiqësore” të Rusisë që prej vitit 2022, ambasadori rus në Tiranë, A. A. Zaytsev, ka zgjedhur 82-vjetorin e Çlirimit për të rikujtuar momentet kur 2 vendet ishin në të njëjtën anë të historisë. Përmes një mesazhi drejtuar veteranëve shqiptarë, diplomati rus evidenton rolin e Bashkimit Sovjetik në luftën kundër pushtuesve nazifashistë dhe kërkon që kujtesa e kësaj lufte të përcillet te brezat e rinj të shqiptarëve dhe rusëve.
Në njoftimin e ambasadës ruse kujtohet se në fund të nëntorit 1944 populli shqiptar çliroi vendin nga pushtuesit, me 28 mijë bij dhe bija të Shqipërisë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë, ndërsa nënvizohet edhe ndikimi i sukseseve të Ushtrisë së Kuqe në frontin sovjeto-gjerman, si dhe dërgimi në gusht 1944 i misionit të parë ushtarak sovjetik të kryesuar nga majori K. P. Ivanov për të lidhur komandën shqiptare me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe. Teksti sjell në vëmendje edhe deklaratën e Mbledhjes së Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar Antifashist të Shqipërisë të tetorit 1944:
“Ne e konsiderojmë Ushtrinë e Kuqe si forcën kryesore që shpartalloi armikun e betuar të njerëzimit. Për ne, ajo është simbol i luftës antifashiste për liri dhe garancia më e madhe e të drejtave tona. Për këtë i jemi mirënjohës Bashkimit Sovjetik dhe populli ynë nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e madhe dhe luftën heroike të Ushtrisë së Kuqe, e cila na shpëtoi nga katastrofa”.
Ambasadori Zaytsev e lidh të kaluarën antifashiste me qëndrimet aktuale të Moskës në arenën ndërkombëtare, duke vënë në dukje se që prej vitit 2005 Rusia promovon çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së rezolutën kundër glorifikimit të nazizmit, neonazizmit, racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës, e cila në vitin 2026 mori 117 vota pro, ndërkohë që shpreh keqardhje për ato vende që, sipas tij, nuk shqetësohen mjaftueshëm për përpjekjet e falsifikimit të historisë dhe rikthimin e retorikës raciste e ksenofobe.
Në mbyllje të mesazhit të tij për qytetarët dhe veteranët shqiptarë, diplomati rus nënvizon se të 2 vendet e njohin nga përvoja çfarë përfaqësojnë fashizmi dhe nazizmi, duke bërë thirrje që të mos zbehet kujtimi i atyre që i dhanë fund “murtajës së zezë” dhe u siguruan brezave të ardhshëm paqen.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






