Transmetuar më 29-11-2026, 17:30

Tiranë – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar në spital deputetin demokrat të qarkut të Shkodrës, Kliti Hoti, i cili u plagos me plumb gome gjatë protestës së sotme në kryeqytet, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se ka dhënë urdhër politik për goditjen e tij. Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve spitalore, Berisha u shpreh se Hoti u qëllua nga afër në momentin kur po vraponte pas një protestuesi që po dhunohej nga forcat e policisë dhe se vetëm një lëvizje e instinktit e shpëtoi nga goditja në zemër:

“Para kamerave, në sytë e gjithë shqiptarëve, me urdhër politik të Edi Ramës, u qëllua në tentativë për t’u vrarë deputeti i PD-së i qarkut të Shkodrës, doktor Kliti Hoti, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe, në funksionin e deputetit dhe të mjekut, ka qëndruar me një përkushtim të madh pranë të gjithë protestuesve të agresuar barbarisht, pa asnjë motiv, nga narkobanditët e Edi Ramës për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës. Deputeti Kliti Hoti, siç e panë të gjithë shqiptarët, po vraponte pas një protestuesi që po e trajtonin shtazërisht narkobanditët dhe ata e qëllojnë në distancë. E morën në shenjë në zemër, por Zoti, një fuqi e mbinatyrshme, instinkti, e kthen, bën një rrotullim të lehtë dhe arma shkrehet pranë shpatullës së djathtë të tij. Një goditje nga afër, me një plagë të thellë, me djegie përreth, sikur të ishte ndonjë plumb nga ata që kanë eksploziv kur shpërthejnë, me shtypje të fortë të një pjese të mushkërisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike e cilësoi këtë ngjarje si një shpallje lufte ndaj opozitës dhe një kushtrim për qytetarët, duke pretenduar se numri i të plagosurve nga protesta e djeshme dhe e sotme ka kaluar shifrën 70, prej të cilëve 50 janë trajtuar në strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbi 20 në qendrën mjekësore pranë Parkut Rinia:

“Po i bëhen analizat, por ky akt kriminal i Edi Ramës është dëshmia më e madhe se ai kërkon konflikt të hapur. Kur një deputet në detyrën e tij, në funksion të deputetit dhe mjekut, qëllohet, deputetit të forcës kundërshtare Edi Rama de facto i shpall luftë popullit opozitar dhe asaj force politike. Me këtë rast, e siguroj se Partia Demokratike do t’i përgjigjet atij në mënyrën më të merituar. Ky rast është një kushtrim i madh, një apel për çdo shqiptar që duhet të ngrihemi dhe të largojmë me të gjitha mjetet këtë regjim kriminal. Nga dje deri më sot janë mbi 70 të plagosur në protestë. 50 janë trajtuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe mbi 20 janë trajtuar te qendra mjekësore pranë Parkut Rinia, që nuk kanë vajtur në spital. Nga këta ka vetëm një narkobandit me hematoma në kokë. Të gjithë të tjerët janë qytetarë. Vetëm një polic është me hematoma, i goditur me gur ose diçka tjetër. Të tjerët janë verifikuar, nuk ka më asnjë tjetër efektiv të lënduar. Kanë sjellë shtatë këtu pa asnjë lloj problemi për të krijuar përshtypjen se ka dhe policë, ama vetëm njëri është me hematoma. Kjo dhunë që shkon 70 me 1 dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Ramës dhe Demos”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me reagimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i cili kërkoi pezullimin e efektivit të dyshuar për plagosjen e deputetit Hoti, Berisha shprehu mosbesim duke kujtuar një precedent të një muaji më parë:

“Demo tha të njëjtën gjë para një muaji, se pesë policë u pezulluan, ndërsa ata janë në detyrë duke bërë kamxhikun e protestuesve”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit