Transmetuar më 29-11-2026, 17:29

Tiranë – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas plagosjes me plumb gome të deputetit demokrat të Shkodrës, Kliti Hoti, gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet. Bardhi ka bërë publik identitetin e efektivit të policisë që sipas tij qëlloi ligjvënësin, duke e cilësuar ngjarjen si tentativë për vrasjen e një deputeti në ushtrim të detyrës dhe duke i kërkuar Prokurorisë së Tiranës arrestimin e menjëhershëm të tij.

Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat ka publikuar edhe pamjet filmike të momentit kur Kliti Hoti goditet me plumb gome, ndërsa ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta politike dhe ligjore ndaj kryeministrit Edi Rama:

“Banditi E.A është Edi Rama me uniformë policie! Edi Rama mban përgjegjësi politike dhe duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për urdhrin që çoi në tentativën për vrasjen e deputetit Kliti Hoti. Po kështu, ai do të duhet të përgjigjet për dhunën masive të ushtruar ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestojnë. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka detyrimin të veprojë urgjentisht dhe të arrestojë në flagrancë banditin me uniformë Ersild Alliu, që goditi deputetin Kliti Hoti, teksa ky i fundit ishte në ushtrim të detyrës. Tentativa për të vrarë një deputet në ushtrim të detyrës nuk mund të relativizohet apo të trajtohet si një episod i zakonshëm dhune. Ajo kërkon hetim të menjëhershëm dhe ndëshkim ligjor shembullor të autorëve. Përgjegjësia nuk mund të shmanget, drejtësia nuk mund të vonohet dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit