

Tiranë – Policia e Shtetit ka marrë masa administrative dhe disiplinore ndaj efektivit Ersild Alliu, i cili qëlloi me plumb gome deputetin e Partisë Demokratike, Kliti Hoti, gjatë protestës së sotme në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të inspektorit E. A. nga detyra, ndërsa ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor dhe penal.
Policia bën me dije se punonjësi i rendit nuk kishte marrë asnjë urdhër për të qëlluar me plumba gome dhe se veprimi i tij ka qenë krejtësisht individual. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor bazuar në pamjet filmike dhe faktet e mbledhura, ndërsa paralelisht Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore:
“Në lidhje me këtë të fundit, pas rastit të ndodhur gjatë ditës së sotme, ku një deputet është goditur nga një punonjës i Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore”.
Në deklaratën e saj të plotë, Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe thekson se asnjë provokim nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga efektivët në detyrë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm e të protestojnë në mënyrë paqësore:
“Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar. Në lidhje me ngjarjet e 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar, sikundër asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës”.
Institucioni i rendit nënvizon në përfundim të reagimit se do të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit dhe se çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave do të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






