

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të efektivit të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se plagosi me plumb gome deputetin demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Përmes një reagimi publik, Demo bëri të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e punonjësit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës në mënyrë individuale:
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë. Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes”.
Ministri theksoi se barazia përpara ligjit mbetet një parim i panegociueshëm dhe se dhuna nuk do të tolerohet nga asnjëra palë, ndërsa nënvizoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por respektimi i ligjit është detyrim i njëjtë për të gjithë:
“Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm. Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






