

BRESHIA, 29 Nëntor 2026 – Janë mbyllur me një bilanc tragjik kërkimet njëjavore për 75-vjeçarin shqiptar Eqerem Ahmetaj në Itali, i cili rezultonte i zhdukur prej datës 21 nëntor. Trupi i tij i pajetë u gjet pasditen e së shtunës, më 28 nëntor, në një kanal vaditës në zonën rurale të fshatit San Zeno, në provincën e Breshias.
Sipas raportimeve të mediave italiane, trupi i të moshuarit u lokalizua pranë disa fermave nga ekipet e zjarrfikësve, të cilat po kryenin kontrolle nga ajri me helikopterin “Drago”. Në vendngjarje mbërritën menjëherë Policia Lokale dhe karabinierët e Seksionit të Hetimeve Shkencore për të kryer veprimet e para hetimore.
Eqerem Ahmetaj jetonte prej rreth 20 vitesh në Itali dhe banonte i vetëm në lagjen San Polo të Breshias, ndërsa ish-bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij kujdeseshin vazhdimisht për të. Alarmi për zhdukjen u dha mbrëmjen e 21 nëntorit, kur familjarët humbën çdo kontakt me të.
Komunikimi i fundit telefonik me 75-vjeçarin ishte regjistruar në orën 19:21 të asaj dite. Gjatë bisedës, ai kishte mundur t’u thoshte të afërmve vetëm fjalët: “Rashë, jam i lagur”, përpara se telefoni të shkëputej dhe të mos përgjigjej më. Gjurmimi i sinjalit GPS të aparatit të tij celular i orientoi ekipet e shpëtimit fillimisht pranë varrezave të Folzanos dhe më pas në fushat e San Zenos, ku kontrollet e ditëve të para nuk kishin dhënë rezultat.
Trupi i të moshuarit është dërguar në morgun e spitalit “Civile” në Breshia, ku u krye identifikimi zyrtar dhe ku ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






