

TIRANË, 29 Nëntor 2026 – Avokati i Popullit i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Policisë së Tiranës për ruajtjen e menjëhershme të të gjitha pamjeve filmike dhe komunikimeve radiofonike të operacionit policor gjatë protestës së 28 Nëntorit. Ky hap synon garantimin e provave për hetimin e pretendimeve mbi përdorimin e tepruar të forcës ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të medias.
Sipas të dhënave të mbledhura nga grupet e monitorimit në Spitalin Universitar të Traumës, katër protestues të kontaktuar kanë deklaruar se janë goditur me plumba gome dhe mjete të tjera gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit:
Njëri prej protestuesve ka deklaruar se është goditur në sy, ku vëzhguesit e institucionit kanë konstatuar syrin e majtë të mavijosur dhe të mbyllur.
Një tjetër ka pretenduar se, përveç goditjeve të tjera, është dhunuar edhe me shkop gome.
Një protestues i tretë ka raportuar se është qëlluar nga afër në ballë me fishek gazi, duke pësuar një plagë të qepur në kokë dhe dëmtime në këmbë.
Përmes shkresës zyrtare, Avokati i Popullit i kërkon Policisë së Tiranës informacion të detajuar mbi planin operacional dhe zinxhirin komandues, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive mbi urdhërimin e përdorimit të forcës. Konkretisht, kërkohen sqarime mbi:
Përdorimin e mjeteve të shpërndarjes së turmave: Kohën, vendin, urdhrat përkatës dhe paralajmërimet paraprake për përdorimin e plumbave të gomës, fishekëve të gazit, gazit lotsjellës të hedhur nga dronët dhe autobotëve me ujë.
Mbrojtjen e mediave: Trajtimin e gazetarëve në terren dhe pretendimet për drejtimin e ujit me presion drejt zonës ku ishin pozicionuar punonjësit e medias.
Ndihmën shëndetësore dhe identifikimin: Mënyrën e garantimit të aksesit për ambulancat dhe dhënien e ndihmës së parë, si dhe elementet e identifikimit të efektivëve të policisë në terren.
Gjatë ditës së djeshme, ekipet e Avokatit të Popullit kanë monitoruar situatën në komisariatet nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës. Institucioni thekson se po ndjek me vëmendje të barabartë rastet e lëndimit të protestuesve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë, duke rikujtuar se përdorimi i forcës nga organet ligjzbatuese lejohet vetëm kur është rreptësisht i nevojshëm dhe proporcional.
Hetimi administrativ për ngjarjet e 28 Nëntorit i bashkohet një procesi më të gjerë monitorimi që institucioni po zhvillon prej disa muajsh mbi menaxhimin e tubimeve nga Policia e Shtetit, raporti përfundimtar i të cilit pritet t’i dorëzohet Kuvendit në muajin dhjetor 2026.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






