

Jerusalem – Kryeministri në largim i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe rivali i tij kryesor politik, Gadi Eisenkot, do të zhvillojnë sot një takim për të diskutuar mundësinë e formimit të një qeverie të përbashkët. Lajmi është bërë i ditur nga partia Likud, e cila njoftoi se 2 liderët politikë kanë zhvilluar një bisedë dhe kanë rënë dakord të takohen në orën 10:00 të mëngjesit:
“Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe kryetari i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, biseduan dhe ranë dakord të takohen nesër në orën 10:00 të mëngjesit”.
Takimi vjen pas ofertës së Netanyahut drejtuar Eisenkotit, i cili është mandatuar për formimin e qeverisë së ardhshme të Izraelit. Netanyahu është shprehur i gatshëm t’ia lërë rivalit të tij politik postin e kryeministrit në fazën e parë të mandatit, me kusht që palët të arrijnë një marrëveshje për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar dhe drejtimin me rotacion të ekzekutivit.
Më herët, Eisenkot i kishte bërë thirrje Netanyahut që negociatat të nisnin menjëherë, që në mbrëmjen e së shtunës, për të vlerësuar “seriozitetin” e propozimit të tij. Takimi i së dielës shihet si një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e ngërçit politik, ndërsa ende nuk është njoftuar arritja e ndonjë kompromisi për bashkëqeverisje.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






