

Dyseldorf – Ëndrra e Nelson Hysës për t’u shpallur kampion bote në boksin profesionist nuk u realizua. Boksieri shqiptar u detyrua të dorëzohej që në raundin e dytë të përballjes me Agit Kabayel, në duelin e zhvilluar në “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit, ku ishte në lojë titulli botëror WBC në kategorinë e peshave të rënda.
E shtuna e 28 nëntorit ishte një nga ditët më të rëndësishme të karrierës së Hysës. Boksieri shkodran u ngjit në ring me ambicien për të shkruar historinë, duke pasur pas vetes një bilanc të pamposhtur prej 25 fitoresh në 25 ndeshje, 23 prej tyre me nokaut dhe asnjë humbje.
Megjithatë, sfida mori një kthesë të papritur. Një dëmtim në bërryl gjatë zhvillimit të ndeshjes nuk e lejoi Hysën të vazhdonte më tej, duke e detyruar të tërhiqej në raundin e dytë dhe duke mbyllur para kohe një mbrëmje që pritej të ishte historike për boksin profesionist shqiptar.
Në vitin 2024 Nelson Hysa u shpall kampion Europe në kategorinë WBO, duke arritur një prej sukseseve më të mëdha të boksit shqiptar, ndërsa këtë herë rrugëtimi drejt kurorës botërore u ndërpre nga dëmtimi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






