

Madrid – Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, dhe rivali i tij konservator, Alberto Núñez Feijóo, kanë zhvilluar mitingjet e fundit elektorale në prag të zgjedhjeve të së dielës, në një përballje të ngushtë që mund të ndryshojë drejtimin politik të një prej ekonomive më të mëdha të Europës. Sánchez është shfaqur optimist pavarësisht se sondazhet e fundit e japin Partinë Popullore të Feijóos me një avantazh të lehtë, duke deklaruar përpara mbështetësve të veshur me bluza të kuqe:
“Nuk mund ta imagjinoj që ne të humbasim”.
Kryeministri e ka akuzuar rivalin konservator se po përgatit një marrëveshje qeverisëse me të djathtën ekstreme dhe ka kërkuar mbështetjen e elektoratit për të mbajtur në pushtet qeverinë e majtë, në një moment kur rezultati spanjoll mund të reflektohet edhe në balancat politike të vendeve të tjera europiane.
Nga ana tjetër, Feijóo e ka mbyllur fushatën me thirrjen për ndryshim dhe me premtimin e një faze të re të mbështetur te e vërteta, ndershmëria dhe qeverisja e mirë. Gjatë ndalesave në Barcelonë dhe Sevilje, lideri i Partisë Popullore sulmoi qeverinë e Sánchez për skandalet e korrupsionit, katastrofat hekurudhore, emigracionin dhe borxhin kombëtar, duke e akuzuar se i shmanget përgjegjësive dhe pyetjeve për çështjet jetike të vendit, ndërsa iu referua edhe dështimit të tij për të formuar qeveri 3 vite më parë megjithëse fitoi më shumë vende në parlament:
“Këtë herë, po, do t’ia dalim”.
Megjithatë, për të siguruar shumicën parlamentare, konservatorët mund të kenë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, i cili e mbylli fushatën në një arenë demash në Valencia, pasi më herët e kishte akuzuar Sánchez se “na ka tradhtuar, na ka vjedhur dhe na ka gënjyer”. Vox synon të dyfishojë pothuajse përfaqësimin e saj në parlament me politika të ashpra kundër emigracionit, përfshirë përparësinë për qytetarët spanjollë në përfitimet sociale dhe riatdhesimin e të huajve që sipas saj nuk kontribuojnë në ekonomi.
Fushata është zhvilluar në një klimë të fortë polarizimi rreth korrupsionit, emigracionit, ekonomisë dhe krizës së strehimit, ku në debatin televiziv mes 4 liderëve Feijóo premtoi ndërtimin e 1 milion banesave brenda 4 viteve, ndërsa Sánchez këmbënguli se strehimi duhet të jetë një e drejtë dhe jo objekt spekulimi e fitimi. Në zgjedhjet e së dielës kanë të drejtë vote afro 39 milionë qytetarë spanjollë, por publikimi i sondazheve është ndaluar që prej ditës së hënë sipas ligjit zgjedhor, duke e lënë rezultatin të hapur deri në numërimin e votave.
Një peshë të veçantë mban Andaluzia, ku Feijóo zgjodhi të përmbyllë fushatën dhe e cila përfaqësohet me 61 vende në parlamentin prej 350 anëtarësh, duke u drejtuar nga një koalicion i Partisë Popullore dhe Vox, ashtu si edhe Extremadura, Aragón dhe Castilla y León. Feijóo ka këmbëngulur se synon të qeverisë me shumicë, duke lënë të hapur marrëveshjet parlamentare me Vox pa i premtuar poste ministrore, ndërsa Sánchez u shfaq në mitingun përmbyllës në Madrid krah bashkëshortes Begoña Gómez me një bluzë ku shkruhej “Fuqia e popullit”, duke vlerësuar fushatën e Colau-t dhe aleatëve të majtë që u zotuan të luftojnë për një tjetër qeveri progresiste, në një provë që do të tregojë nëse Spanja do të ruajë qeverisjen e majtë apo do t’i bashkohet zhvendosjes drejt së djathtës në Europë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






