

Bruksel – Evropa po hedh hapa konkretë për të sfiduar dominimin e Elon Musk në tregun e internetit satelitor, teksa në Belgjikë është inauguruar fabrika më e madhe e satelitëve në kontinent, e cila do të shërbejë për zbatimin e një prej projekteve më ambicioze hapësinore të Bashkimit Europian.
Bëhet fjalë për programin Iris2, përmes të cilit Brukseli synon të ndërtojë një rrjet të pavarur komunikimi satelitor si alternativë ndaj sistemit Starlink të kompanisë amerikane SpaceX. Në impiantin e ri do të prodhohen 264 satelitë, ndërsa kontrata me vlerë 2,4 miliardë dollarë i është besuar kompanisë belge Aerospacelab.
Nisma synon të pakësojë varësinë e Evropës nga infrastruktura hapësinore amerikane dhe të garantojë një rrjet komunikimi të mbrojtur, të qëndrueshëm dhe nën kontrollin e vendeve europiane. Sipas Aerospacelab, infrastruktura e re do të përbëjë një shtyllë kyçe të strategjisë europiane për autonomi teknologjike dhe siguri të të dhënave, me objektivin që sistemi të vihet plotësisht në funksion deri në vitin 2030.
Projekti vlerësohet si një investim strategjik për forcimin e peshës së Evropës në industrinë hapësinore dhe krijimin e një alternative të besueshme ndaj Starlink, i cili mban një rol qendror në tregun botëror të internetit satelitor. Me Iris2, Bashkimi Europian synon jo vetëm të rrisë konkurrueshmërinë në sektorin e komunikimeve hapësinore, por edhe të forcojë sovranitetin mbi një infrastrukturë jetike për sigurinë dhe ekonominë e ardhshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






