Transmetuar më 28-11-2026, 21:38

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas protestës së 28 Nëntorit në kryeqytet, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen kundër dhunës pavarësisht bindjeve politike apo qëndrimit ndaj qeverisë. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai theksoi se siguria e qytetarëve, institucionet dhe e ardhmja e vendit përbëjnë interesa të përbashkëta që duhet të bashkojnë shqiptarët në një ditë simbolike:

“Në 114-vjetorin e Pavarësisë, flamuri kombëtar na kujton se, përtej çdo dallimi politik, kemi një atdhe dhe një shtet të përbashkët. Dhuna nuk është as alternativë politike dhe as mjet demokratik. Tirana është e të gjithëve. Institucionet janë të të gjithëve. Shqipëria është e të gjithëve”.

Duke iu referuar bilancit të tensioneve në terren, ministri bëri me dije se efektivët e policisë janë sulmuar me gurë, shkopinj, molotovë dhe mjete piroteknike, ndërsa aktet e dhunës kanë prekur institucione shtetërore, biznese private dhe pronën publike, përfshirë edhe godinën e Teatrit të Kukullave. Demo rikonfirmoi se Policia e Shtetit do të garantojë të drejtën kushtetuese për protestë paqësore dhe se reagimi ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional, duke paralajmëruar se ligji do të zbatohet pa dallim:

“Kushdo që ka ushtruar dhunë dhe ka shkelur ligjin do të përballet me të. Kjo vlen për çdo qytetar dhe për çdo punonjës policie”.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një objektiv kombëtar dhe aspiratë e brezave që kapërcen çdo parti apo qeveri, ndaj ftoi në debat demokratik dhe respekt të ndërsjellë:

“Le të debatojmë për mënyrën se si duam ta zhvillojmë vendin. Le të kemi bindje dhe vizione të ndryshme, por të respektojmë njëri-tjetrin dhe të refuzojmë dhunën e shkatërrimin”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit