Transmetuar më 28-11-2026, 21:22

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu pas protestës së zhvilluar ditën e shtunë në kryeqytet, vlerësoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve duke u shprehur se dhjetëra mijëra pjesëmarrës nderuan flamurin dhe Ditën e Pavarësisë përmes një revolte kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve deklaroi se tubimi tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare për shkak të qëndresës së qytetarëve të ardhur nga mbarë Shqipëria dhe diaspora, të cilët sipas tij u përballën me mjetet e forcës të përdorura nga policia:

“Së pari, duhet të përshëndes ata dhjetëra mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra, qytetarë të bindjeve të ndryshme politike që me këtë protestë madhështore, me një revoltë të jashtëzakonshme, nderuan sot më bukur, më mirë, më madhërishëm se kurrë flamurin dhe ditën e kombit në ditën e tyre, në ditën e pavarësisë. Sot flamuri ynë kombëtar dhe pavarësia u bënë lajm botëror, hapën emisionet e televizioneve më të mëdha të Europës dhe të botës jo për kalendarin por për qëndresën, për guximin epik të qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë në protestën e tyre kundër narko-diktatorit Padrino Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale”.

Berisha vijoi më tej duke vënë theksin te përplasjet e zgjatura prej mesditës dhe te përdorimi i gazit lotsjellës e ujit me presion nga forcat e rendit, ndërsa i cilësoi orët e qëndresës në shesh si një moment të veçantë në kremtimin e festës kombëtare:

“Emri i Shqipërisë, flamuri i kombit tonë u lartësuan në nivelet më të larta falë guximit, sakrificës, qëndresës së dhjetëra mijëra qytetarëve të cilët po përballen dhëmbë për dhëmbë me falangat e krimit të narko-diktaturës nga ora 12:00 dhe gjer tani që vazhdon një betejë e ashpër. Narko-regjimi përdori të gjitha mjetet tokësore, ajrore, snajper dhe lartësira, tonelata gazi dhe ujë të helmuar por protestuesit nuk i mposhtën. Ata e mbajtën dhe vazhdojnë ta mbajnë për orë të tëra kryesheshin e kombit duke nderuar kështu para së gjithash heroin tonë kombëtar Skënderbeu. Nuk është festuar ndonjëherë dita e flamurit dhe kombit si kësaj here”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit