Transmetuar më 28-11-2026, 19:54

Tiranë – Është qetësuar situata në qendër të kryeqytetit pas disa orësh përplasje të dhunshme mes forcave të policisë dhe protestuesve, ndërsa efektivët kanë rimarrë kontrollin e plotë të sheshit “Skënderbej” pas shpërndarjes së turmës.

Protesta kombëtare e zhvilluar ditën e shtunë në Ditën e Pavarësisë përshkallëzoi në tensione të forta fillimisht përpara Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën gurë dhe molotovë në drejtim të kordonit policor, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Gjatë marshimit dhe përplasjeve në rrugët e Tiranës, grupe protestuesish sulmuan me molotovë edhe selinë e Partisë Socialiste, si dhe i vunë flakën godinës së Teatrit të Kukullave.

Sa i përket bilancit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej 30 persona të lënduar, konkretisht 9 efektivë policie, 12 protestues, 6 përfaqësues të medias, 1 prej të cilave shtetase e huaj, si dhe 3 kalimtarë. Dy prej efektivëve të policisë janë transferuar më pas për trajtim në QSUT, ndërsa 1 protestues dhe 1 punonjës i medias e kanë lënë Spitalin e Traumës. Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se aktualisht 26 pacientë vijojnë trajtimin mjekësor dhe të gjithë paraqiten në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit