Transmetuar më 28-11-2026, 18:00

Vorë – Teuta ka siguruar ditën e shtunë një fitore me peshë në transfertë ndaj Vorës, duke triumfuar me rezultatin 3-2 në një përballje plot emocione të vlefshme për javën e 13-të të kampionatit Abissnet Superiore. Takimi nisi me ritëm të lartë dhe me vendasit që gjetën menjëherë rrugën e rrjetës në minutën e 3-të me anë të Trajkov, por skuadra durrsake reagoi dhe riktheu baraspeshën në minutën e 37-të falë golit të shënuar nga Pedro Martelo.

Në fraksionin e dytë të lojës, miqtë morën kontrollin e sfidës dhe kompletuan përmbysjen e rezultatit fillimisht me golin e Kallakut në minutën e 56-të, për të thelluar më pas epërsinë me Boçin në minutën e 69-të.

Minutat e fundit sollën sërish tension, pasi Zogos u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 86-të, duke e lënë Teutën me 10 lojtarë në fushë, ndërsa vetëm 1 minutë më vonë Pedro Clemente shndërroi në gol një 11-metërsh për Vorën. Pavarësisht presionit në shtesë, durrsakët arritën të ruanin avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare, duke u ngjitur në kuotën e 26 pikëve në vendin e dytë pas 13 javësh, vetëm 1 pikë larg Egnatias kryesuese, e cila zbret në fushë të dielën ndaj AF Elbasanit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit