

Uashington – Të shtunën shpërthyen përplasje mes policisë dhe protestuesve në kryeqytetin shqiptar, ndërsa mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama në demonstratën më të fundit të një vale të gjatë protestash kundër qeverisë, raporton e përditshmja amerikane Washington Post. Sipas saj, forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur turmën, ndërsa shqiptarë nga mbarë vendi dhe diaspora udhëtuan drejt Tiranës për t’iu bashkuar tubimit që përkoi me 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Mes pjesëmarrësve të ardhur nga jashtë kufijve ishte edhe 33-vjeçari Arian Lleshi, i cili kishte udhëtuar nga Mbretëria e Bashkuar për t’u bashkuar me qytetarët në shesh:
“Erdha posaçërisht për protestën. Pse? Sepse kemi vuajtur për shumë kohë. Jemi shpërndarë në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën, dhe është thuajse sikur të jemi qytetarë pa shtet. Jemi si qytetarë pa atdhe”.
Gazeta amerikane kujton se mobilizimet nisën si lëvizja e “Flamingove” dhe u pasuan në shtator nga demonstratat studentore për përmirësimin e arsimit dhe të standardeve të jetesës, duke u zgjeruar më pas në një kërkesë politike për dorëheqjen e kreut të qeverisë. E mbledhur në sheshin “Skënderbej” me thirrjet “Dorëheqje!”, turma përfshinte të rinj dhe të moshuar, mes të cilëve studentja Juna Vasili dhe pensionistja Suzana Gjeta, e cila u shpreh se kishte dalë në emër të të rinjve dhe të atyre “që jetojnë vetëm me 120 euro në muaj”:
“Kemi dalë për të kërkuar të drejtat tona. Na ka ardhur në majë të hundës. Jeta është bërë shumë e vështirë. Po kërkojmë ndryshimin e të gjithë sistemit”, deklaroi Vasili, ndërsa Gjeta shtoi: “Shpresojmë që ky sistem të largohet, që Edi Rama të ikë dhe që ky korrupsion të marrë fund”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






