

Nga janari deri në tetor të këtij viti, vlera e përgjithshme e logjistikës në Kinë arriti në 312.4 trilionë juanë ose gati 47 trilionë USD, me një rritje prej 4.8 % në bazë vjetore.
Sektori i logjistikës ruajti prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm, me përmirësim të cilësisë dhe efikasitetit, sipas të dhënave të Federatës Kineze të Logjistikës dhe Blerjeve që citon noa.
Kërkesa për logjistikë industriale shfaqi një prirje të dukshme drejt përmirësimit strukturor. Nga janari deri në tetor, vlera e përgjithshme e logjistikës së produkteve industriale në vend u rrit 5.3 % në bazë vjetore. Në tetor, kërkesa për logjistikë në industrinë e prodhimit të pajisjeve u shtua 10.6 %, ndërsa ajo në industrinë prodhuese të teknologjisë së lartë 17.6 %, duke shënuar ritmin më të lartë të rritjes mujore në afro pesë vjet.
Struktura e kërkesës për logjistikën e mallrave të importuara vazhdoi të përmirësohej. Nga janari deri në tetor, vlera e përgjithshme e logjistikës së mallrave të importuara u ul 0.6 % në bazë vjetore, por pesha e produkteve me vlerë të shtuar të lartë u ngrit. Vlera e importeve të produkteve mekanike dhe elektrike, si edhe e produkteve të teknologjisë së lartë, u shtua përkatësisht me 35 % dhe 44.4 % në bazë vjetore.
Kërkesa për logjistikë në fushën e konsumit të përditshëm dhe të logjistikës së gjelbër u ngrit në mënyrë të qëndrueshme. Nga janari deri në tetor, shitjet me pakicë të mallrave në internet arritën në 10.7 trilionë juanë, me një rritje prej 2.9 % në bazë vjetore. Modelet e reja të konsumit, si shitja me pakicë me dërgesë të menjëhershme, janë bërë faktorë të rinj nxitës të rritjes së konsumit në internet. Vlera e përgjithshme e logjistikës së burimeve të riciklueshme u shtua me 2.8 % në bazë vjetore, ndërsa zhvillimi i industrisë së automjeteve me energji të re dhe i materialeve të gjelbra mbështeti rritjen e kërkesës për logjistikë të gjelbër.
Oferta e shërbimeve logjistike vazhdoi të zgjerohej në mënyrë të qëndrueshme. Nga janari deri në tetor, të ardhurat e përgjithshme të sektorit të logjistikës arritën në 12.3 trilionë juanë, me një rritje prej 4.2% në bazë vjetore. Numri i udhëtimeve të trenave të mallrave me Evropën arriti në 18 600, duke u shtuar 14.6 %. Të ardhurat e ndërmarrjeve kryesore të logjistikës u rritën 6.5 % në bazë vjetore, ndërsa shpenzimet për transformimin digjital u ngritën me mbi 20 %, duke shënuar një përmirësim të vazhdueshëm të efikasitetit operacional.
Liu Yuhang, kryeinxhinier i Federatës së Logjistikës dhe Blerjeve, u shpreh që, me ardhjen e sezonit të pikut të logjistikës në fund të vitit, shfaqjen e mëtejshme të efekteve të politikave përkatëse dhe përshpejtimin e transformimit digjital, inteligjent e të gjelbër, sektori i logjistikës pritet të ruajë gjatë gjithë vitit prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të përmirësimit të cilësisë e efikasitetit, duke ofruar mbështetje të fuqishme për rimëkëmbjen dhe zhvillimin pozitiv të ekonomisë reale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






