

NEW YORK — Data 28 Nëntor do të shënohet zyrtarisht edhe në kalendarin e qytetit të New York-ut. Këshilli Bashkiak ka votuar një rezolutë të posaçme që njeh Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke çmuar njëherësh historinë dhe rolin e komunitetit shqiptar në metropolin amerikan.
Rezoluta mori miratimin më 19 nëntor 2026, pas nismës së ndërmarrë nga këshilltarja Amanda C. Farías, e cila u mbështet në këtë propozim edhe nga tre anëtarë të tjerë të Këshillit të Qytetit: Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.
Me këtë akt zyrtar, institucionet e New York-ut nderojnë aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, si dhe kontributin e vazhdueshëm që shqiptaro-amerikanët kanë dhënë në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të qytetit.
Rrënjët e komunitetit shqiptar në New York datojnë që në fillimet e viteve 1920, me mbërritjen e valëve të para të emigrantëve, ndërsa përgjatë dekadave prania e tyre është rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, aktualisht mbi 100 mijë qytetarë me origjinë shqiptare banojnë në pesë distriktet e New York-ut, me një përqendrim më të lartë në zonat e Bronx-it dhe Staten Island-it.
Dokumenti i miratuar sjell në vëmendje edhe rrugëtimin historik të raporteve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke kujtuar mbështetjen vendimtare të presidentit amerikan Woodrow Wilson për shtetin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, pas shpalljes së Pavarësisë më 1912.
Ky bashkëpunim u kurorëzua më tej në korrik të vitit 1922, kur Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.
Ky vendim i Këshillit të Qytetit të New York-ut merr jetë pikërisht në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke shtuar një vlerë të re simbolike për dhjetëra mijëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






