Transmetuar më 28-11-2026, 11:50

VENECIA — Ervis Murra, 37-vjeçari shqiptar i cili arriti t’u largohej forcave të rendit pas shkëmbimit të zjarrit me policinë italiane në Cavarzere të Venecias, është kthyer në një prej personave më të kërkuar nga autoritetet e shtetit fqinj.

Me një të shkuar të ngarkuar kriminale në Itali dhe Shqipëri, ai rezulton i përfshirë në një sërë veprash të rënda penale, ku përfshihen vjedhjet, grabitjet me armë, zhvatja dhe përvetësimi i sendeve të vjedhura.

Murra, i lindur më 29 prill 1989, duhet të shlyejë mbi 12 vite burgim për dënime të formës së prerë të dhëna nga drejtësia italiane, por prej kohësh i fshihet kapjes. Pas përplasjes së 27 nëntorit, ku një aksion policor solli shkëmbim zjarri, një të vrarë dhe një të arrestuar, shqiptari mundi të çante rrethimin dhe u humb gjurmët në zonat rurale të Venetos, teksa në momentin e ikjes mbante veshur vetëm të brendshme.

Precedentët e tij me drejtësinë shtrihen në më shumë se një dekadë dhe në disa rajone të Italisë. Në qershor të vitit 2025, ai u pikas gjatë një kontrolli rutinë në rrugën “Vittorio Emanuele” në Napoli, ku ishte i shpallur në kërkim prej tre vitesh pas një dënimi të formës së prerë me shtatë vite burg për grabitje.

Gjatë përballjes me patrullën, Murra arriti të arratisej dhe dyshohet se prej atij momenti u zhvendos drejt veriut të Italisë. Megjithatë, ky nuk është dënimi i vetëm që rëndon mbi të. Në vitin 2020, ai u prangos në zonën e Dibrës në Shqipëri në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi drejtësia italiane e kërkonte për të vuajtur pesë vite burg të caktuara nga Gjykata e Apelit në Perugia në shtator të vitit 2017.

Në atë proces, shqiptari akuzohej si pjesëtar i një grupi kriminal të strukturuar që kryente grabitje me armë, zhvatje dhe trafikim të sendeve të vjedhura. Më herët, në rajonin e Kampanias, ai ishte proceduar edhe për thyerjen e masës së arrestit në shtëpi, pavarësisht se mbahej i monitoruar me byzylyk elektronik.

Një nga ngjarjet më të rënda ku lidhet emri i tij është grabitja e regjistruar në Perugia në orët e para të mëngjesit të 7 tetorit 2014. Tre persona hynë me forcë në një banesë rreth orës 03:00, ndërsa brenda ndodheshin çifti i pronarëve dhe djali i tyre 10-vjeçar. Autorët i zgjuan ata duke u drejtuar dritën e një elektriku në fytyrë dhe më pas i kërcënuan me armë zjarri që të hapnin kasafortën.

Nën kërcënimin e armës, familjarët dorëzuan para, bizhuteri dhe çelësat e dy automjeteve luksoze, një “BMW” dhe një “Audi”. Pas krimit, grabitësit u larguan drejt Casertës, vend ku Murra u lokalizua më 12 dhjetor të po atij viti, ndërsa ndaj tij ekzistonte edhe një urdhër-arresti i lëshuar më 30 qershor për një tjetër vjedhje banese.

Dosjet e drejtësisë italiane e përmendin 37-vjeçarin edhe në një gjyq në Santa Maria Capua Vetere në vitin 2018, lidhur me një tentativë grabitjeje në një pikë karburanti në Villa Literno në vitin 2013.

Dy vite më parë, ai ishte ndaluar edhe në Mondragone si i dyshuar për një varg veprash penale në provincën e Casertës në dëm të sipërmarrësve të sektorit bujqësor dhe blegtoral. Përmes lëvizjeve të vazhdueshme nga jugu në veri të Italisë, ai kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë deri në ngjarjen e fundit në Cavarzere, ku policia italiane ka shtuar ndjeshëm forcat në terren për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit