Transmetuar më 28-11-2026, 11:48

TIRANË — Rreth 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë vendosur në shërbim për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në kryeqytet. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë pozicionuar pranë godinave kryesore institucionale, ndërsa punonjësit e policisë rrugore, repartit “Shqiponja” dhe strukturave të rendit po monitorojnë kryqëzimet kyçe të Tiranës.

Strukturat e rendit kanë vënë në gatishmëri tetë autobotë uji, dronë dhe kamera të cilësisë së lartë për vëzhgimin e situatës dhe identifikimin e pjesëmarrësve. Efektivët janë pajisur me spraj piperi dhe gaz lotsjellës, ndërsa përdorimi i plumbave të gomës është parashikuar vetëm në raste të agravimit të tubimit.

Një detaj që ka spikatur në terren është mbajtja e flamurit kuqezi në parzmoret e punonjësve të policisë, si dhe vendosja e tij në mjetet e patrullimit dhe automjetet e tjera policore.

Paralelisht, shërbimet kufitare kanë forcuar kontrollet në pikat e kalimit me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut ndaj personave të cilësuar të padëshiruar apo me prirje ekstremiste, ku sipas të dhënave të deritanishme disave prej tyre u është refuzuar hyrja në vend.

Policia ka hartuar masa edhe për përballimin e bllokimit të mundshëm të akseve kryesore rrugore në Tiranë, ndërsa pritet të shihet ecuria e protestës dhe nëse grupimet e ndryshme do të bashkohen në një manifestim të përbashkët.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit