Transmetuar më 28-11-2026, 10:41

TIRANË — Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka evidentuar një sërë shkeljesh të sigurisë ushqimore dhe ka vendosur masa administrative ndaj disa operatorëve ekonomikë, pas realizimit të 128 inspektimeve në shkallë vendi gjatë datave 26 dhe 27 nëntor 2026.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga AKU, trupat inspektuese kanë dhënë katër masa administrative me paralajmërim për mangësi që lidhen me sistemimin e ambienteve dhe përditësimin e raporteve të provave.

Paralelisht, dy subjekte janë ndëshkuar me gjoba në vlerën e përgjithshme prej 400 mijë lekësh. Konkretisht, Drejtoria Rajonale e AKU-së në Tiranë ka gjobitur subjektin “Redian Dobruna” me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, ndërsa ndaj subjektit “Pronatyra treg” është vendosur gjoba prej 300 mijë lekësh për hedhje në treg të ushqimit të pasigurt.

Gjatë këtyre kontrolleve janë bllokuar gjithashtu dy ngarkesa mallrash me peshë totale prej 88.9 tonësh, është pezulluar puna e një subjekti dhe janë asgjësuar 27.86 ton produkte me kërkesë të vetë operatorit.

Një prej rasteve të dokumentuara nga AKU përfshin bllokimin e 25.48 tonëve misër të destinuar për ushqim kafshësh, në pronësi të subjektit “Besniku shpk” në qarkun e Durrësit. Kjo ngarkesë, e futur në vend përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Hanin e Hotit, ishte lënë e bllokuar në magazinë në pritje të verifikimeve laboratorike. Pas daljes së analizave, rezultoi se prania e aflatoksinës B1 ishte mbi kufirin e lejuar, ndaj AKU urdhëroi mbajtjen e mallit të bllokuar deri në kthimin e tij në vendin e origjinës.

Një tjetër rast është shënuar në qarkun e Beratit, ku inspektorët e AKU-së, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik, ushtruan kontroll te subjekti “Sybi Ametbeja”, i cili operonte në fushën e konservimit dhe ambalazhimit të frutave. Gjatë inspektimit u bllokuan 11 artikuj ushqimorë me sasi të përgjithshme prej 63.422 tonësh, deri në marrjen e përgjigjeve nga laboratorët.

Sasia e produkteve të bllokuara në subjektin e Beratit:

16.503,22 kg komposto kumbulle

13.518,6 kg trangull marinadë

9.945,2 kg speca marinadë

8.624,08 kg komposto pjeshke

6.312,4 kg sallatë e përzier

4.467,954 kg spec djegës

1.205,54 kg komposto qershie

1.198,08 kg salcë domate

947,652 kg fërgesë

500 kg trahana

200 kg uthull

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se aktiviteti i këtij subjekti do të mbetet i pezulluar deri në përmbushjen e plotë të standardeve ligjore brenda afatit të caktuar, ndërsa aksionet e kontrollit do të vijojnë në mbarë territorin në bashkëpunim me organet ligjzbatuese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit